OKB – Ambasadori Hoxha: Rusia të kthehet menjëherë në tryezën e bisedimeve

by admin
Spread the love

NJU JORK, 26 shkurt /ATSH/ – Rusia duhet të kthehet menjëherë në tryezën e bisedimeve, deklaroi ambasadori i Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha.

”Unë pajtohem me atë që sapo dëgjuam nga SHBA. Jemi të thirrur të shprehim qartë dhe me zë të lartë qëndrimin tonë, të shteteve tona, individualisht dhe kolektivisht,

  • në lidhje me të Ligjin Ndërkombëtar për të cilën ne kemi rënë dakord,
  • me parimet e mishëruara në Kartën e OKB-së për të cilat ne kemi rënë dakord,
  • me normat ndërkombëtare që kemi vendosur për të rregulluar marrëdhëniet tona, si vende të pavarura dhe sovrane, si kombe paqedashëse dhe si aktorë ndërkombëtarë të përgjegjshëm.
    Ndërkohë që ne flasim, Ukraina po bombardohet, po vriten njerëz dhe një vend po shkatërrohet në Evropë.

Nga një vend më i fuqishëm, fqinji i saj, që ka vendosur të kthejë mbrapsht orën e historisë, anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit, të cilit bota i ka dhënë fuqinë dhe besimin për të vendosur për paqen dhe sigurinë.

Në vend të kësaj, ai vend ka vendosur të sundojë dhe të shkaktojë vdekje!

Vdekja e civilëve të pafajshëm, vdekja e një demokracie, vdekja e shpresës për miliona ukrainas, mëkati i vetëm i të cilëve, i vetmi, është e drejta dhe dëshira e tyre për të ekzistuar.

Me agresionin e saj të paprovokuar, Rusia jo vetëm që po shkakton dhimbje të parrëfyera  dhe një situatë të paprecedentë humanitare, por:

  • ka njollosur Kartën e OKB-së me gjak të pafajshëm,
  • po e varros atë nën rrënojat e shkatërrimit në Kiev dhe qytete të tjera të Ukrainës.
    Duhet të themi jo! Nuk është vonë për të ndalur këtë çmenduri.

Rezoluta që SHBA dhe Shqipëria kanë paraqitur dënon veprimet e Rusisë, nënvizon se Rusia duhet të ndërpresë menjëherë përdorimin e forcës kundër Ukrainës dhe të tërheqë forcat e saj. Ajo i bën thirrje Rusisë që të respektojë Marrëveshjet e Minskut dhe të kthehet në tryezën e negociatave, duke përfshirë formatin e Normandisë dhe Grupin e Kontaktit Trepalësh.

Ajo gjithashtu bën thirrje për lehtësimin e ndihmës humanitare për njerëzit në nevojë në Ukrainë – dhe numri i tyre rritet çdo orë – dhe nxit përpjekjet e vazhdueshme të OKB për t’iu përgjigjur krizës humanitare dhe refugjatëve që ka krijuar agresioni rus.

Rezoluta i bën jehonë thirrjeve të Sekretarit të Përgjithshëm drejtuar publikisht presidentit Putin: ”Në emër të njerëzimit, ktheni trupat tuaja në Rusi”. Ajo i bën jehonë thirrjeve të shumta të ngjashme në nivelin më të lartë, në mbarë globin për të ndalur luftën.

Ky është minimumi që mund të bëjmë! Këtë ia detyrojmë Ukrainës, popullit të saj dhe botës.

Ky është një moment përcaktues për këtë Këshill dhe jo vetëm.

Kjo është një ditë që do të mbahet mend gjatë në një aspekt të vetëm dhe fëmijët tanë, brezi i ardhshëm duhet ta dinë se:

  • Kush u ngrit për respektimin e jetës njerëzore, për Parimet e OKB-së, për të drejtën ndërkombëtare, për solidaritetin me Ukrainën, në mënyrë që fëmijët, vajzat e reja, gratë dhe burrat, qeniet njerëzore të jetojnë jetën e tyre të lirë dhe me dinjitet. Dhe se kush nuk e bëri!

Ky nuk është një moment për të qëndruar indiferentë.

Ky është një moment për të folur dhe u bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve të Këshillit që të mbështesin tekstin, t’i thonë ”jo” agresionit, t’i thonë ”jo” luftës së paprovokuar dhe ”jo” dominimit të një vendi nga një vend më i fuqishëm”, deklaroi ambasadori Hoxha./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like