Nuk është ‘mision i pamundur’, ja si mund t’ia dalë Interi ndaj City-t

by admin
Spread the love

Interi dhe Manchester City do të përballen në finalen e Champions League, mbrëmjen e 10 qershorit në Stamboll, me anglezët që janë dukshëm favoritë për të ngritur për herë të parë “trofeun me veshë të mëdhenj”.

“Citizens” janë padyshim një nga skuadrat më të mira në botë dhe e treguan këtë mbrëmjen e të mërkurës ndaj Realit të Madridit, duke dominuar totalisht gjatë gjithë 90-minutëshit.

Për zikaltrit do të jetë e vështirë që t’i ndalin, pasi anglezët kanë sulmin më të mirë të kompeticionit me 31 gola të shënuar dhe mbi të gjitha shumë kualitet në ekip, aq sa duket e pamundur t’u dalësh për ballë.

Por si mund t’ia dalë Interi? Natyrisht mjaft e rëndësishme do të jetë përformanca në mbrojtje e zikaltërve, që duhet thënë se ka qenë mjaft e mirë, pasi Onana dhe shokët në repartin e mbrojtjes, kanë mbajtur plot 8 ndeshje portën të paprekur.

Një punë të vështirë do të ketë për të bërë edhe Acerbi, që do të përballet me sulmuesin norvegjez Erling Haaland, i cili duket i papërmbajtshëm. Natyrisht në këtë pikë, më mirë do të jetë të limitohen pasimet drejt tij dhe ata që e shërbejnë më shumë janë Grealish e De Bruyne.

Në këtë pikë, do të duhet që Darmian dhe Brozovic të tregohen të vëmendshëm dhe të qëndrojnë pranë këtyre dy futbollistëve, për të mos lënë mundësi pasimi drejt Haaland.

Sa i përket daljes në sulm, Interi mund të provojë topin e gjatë direkt drejt dy “pykave” dhe të shfrytëzojë kundërsulmin e shpejtë, duke qenë se City sulmon me shumë lojtarë dhe lë shpesh hapësira mbrapa.

Një punë mjaft të rëndësishme duhet të bëjnë sidomos dy lojtarët e krahut, Dimarco e Dumfries, që duhet të marrin pjesë pa pushim në të dy fazat e lojës, duke mbyllur hapësirat mbrapa, por edhe duke dalë shpejt në krah, për të ofruar alternativa pasimi në sulm.

E nëse Manchester City është skuadra me cilësitë teknike më të mëdha, Interi është skuadra që vrapon më shumë, që ka rikuperuar më shumë topa dhe ka fituar më shumë dyluftime në këtë edicion të Champions League, ndaj finalja nuk duket aq mision i pamundur./ Shqip


Top Channel

You may also like