Njeriu besuar i Presidentit Xi emërohet kryeministri i ri i Kinës

by admin
Spread the love

Kina emëroi të shtunën, Li Qiang, një njeri i besuar i udhëheqësit Xi Jinping, si kryeministër të vendit, për të udhëhequr ekonominë e dytë më të madhe në botë që tani përballet me parashikimet më të këqija ndër vite.

Zoti Li u emërua nga Presidenti Xi dhe mori detyrën në seancën e së shtunës së Kongresit Kombëtar Popullor, parlamenti ceremonial i Kinës.

Emërimi i kryeministrit u bë një ditë pasi udhëheqësi Xi Jinping, 69 vjeç, siguroi një mandat të tretë pesë-vjeçar, duke i hapur kështu rrugën qëndrimit të tij të përjetshëm në pushtet.

Zoti Li njihet për zbatimin e planit të ashpër “zero-Covid” në Shangai, duke treguar besnikëri ndaj udhëheqësit Xi përballë ankesave të banorëve për mungesën e shërbimit shëndetësor, mungesën e furnizimit me ushqime apo shërbimeve të tjera bazike.

Si kryeministër, zoti Li do ketë përgjegjësinë e ringritjes së ekonomisë së ngadaltë kineze e cila po del nga pandemia COVID-19 dhe po përballet me kërkesë të ulët botërore për eksporte, rritjen e vazhdueshme të tarifave në Shtetet e Bashkuara, tkurrjen e fuqisë punëtore dhe plakjen e popullsisë.

Ai merr përsipër detyrën në një kohë kur autoriteti i kryeministrit dhe i Këshillit të Shtetit, kabineti i qeverisë kineze, po dobësohet vazhdimisht pasi Presidenti Xi i ka dhënë më shumë kompetenca organeve nën varësinë e drejtpërdrejtë të Partisë Komuniste në pushtet.

Në hapjen e sesionit vjetor të Kongresit të dielën, kryeministri në largim Li Keqiang njoftoi planet për ringjallje të ekonomisë duke vendosur objektivin e rritjes për këtë vit në rreth 5%. Vitin e kaluar rritja e ekonomisë ishte 3%, niveli i dytë më i dobët që prej viteve 1970.

Ashtu si me emërimin e zotit Xi të premten, nuk kishte asnjë tregues se anëtarët e Partisë Komuniste Kineze kishin ndonjë mundësi tjetër përveçse të mbështesnin zotin Li dhe zyrtarët e zgjedhur nga Partia Komuniste për të mbajtur poste të tjera. Ndryshe nga Presidenti Xi, i cili mori miratimin e plotë nga Kongresi Kombëtar Popullor, zoti Li mori tre vota kundër dhe tetë abstenim.

Mandati i ri i zotit Xi dhe emërimi i personave besnikë ndaj tij në postet kryesore nxjerr në pah monopolin e tij pothuajse të plotë mbi pushtetin politik kinez, duke eliminuar çdo kundërshtim të mundshëm ndaj programit të tij ultra-nacionalist për ta pozicionuar Kinën si rivalen kryesore politike, ushtarake dhe ekonomike të Shteteve të Bashkuara dhe si kundërshtaren kryesore autoritare ndaj rendit botëror demokratik të udhëhequr nga Uashingtoni.

You may also like