Një ngjarje e rëndësishme në Kuçishtë të Begracës gjatë kohës së Tanzimatit

by admin
Spread the love

Komitët shqiptarë i godisnin herë pas here njësitë ushtarake turke, sidomos në Kaçanik. Në Kaçanik ishte i vendosur një repart i rëndësishëm turk, me detyrë për ta ruajtur kalimin nëpër Grykën e Kaçanikut. Njëkohësisht, ky repart ruante edhe sigurinë në jugun e Kosovës, veçanërisht për t’i ndaluar lëvizjet e kryengritësve, që po shtoheshin gjithnjë.

Një ngjarje e rëndësishme gjatë sundimit osman, e kohës së Tanzimatit, shek. XIX (para rreth 150 vjetëve) është shënuar në fshatin Begracë. Gjatë asaj kohe Sallah Luzha i lagjes Kuçishtë të fshatit Begracë, me të vëllain, Musën dhe me kushërinjtë Miftar e Sali Luzha dhe me burra tjerë, kishin krijuar një çetë komite. Ata disa herë iu kishin kundërvënë tagrambledhësve dhe spahinjve, të cilët i shfrytëzonin pa mëshirë fshatarët e varfër. – Ja, aty, në oborr, – tregon Selman Luzha me gisht vendin, – aty ishte kulla e Sallah Luzhës. Aty janë edhe varret e të vrarëve.

Një luftë e rreptë u zhvillua në lagjen Kuçishtë, në kullën e Sallah Luzhës. Pas luftimeve të ashpra disaditëshe me forcat turke, komitët e Sallah Luzhës ishin tërhequr në kullën e tij në Kuçishtë. Ushtarët turq, me një përforcim të zaptive të Tetovës, e kishin sulmuar kullën, por rezistenca kishte zgjatur dy ditë e dy net. Çdo sulm i ushtarëve turq drejt kullës, ishte zmbrapsur. Për mposhtjen e qëndresës ishte angazhuar edhe vetë pashai osman, i cili ato ditë po udhëhiqte operacionet luftarake në krahinën e Moravës dhe të Karadakut. Pas përleshjeve të përgjakshme, në të cilat u vranë disa ushtarë turq, duke mos mundur të mposhten, komanda i vuri flakën kullës, prej nga rezistonin komitët. Për këtë qëllim ushtarët kishin marrë nga pjesë tjera të fshatit disa qerre të ngarkuara me kashtë, ua kishin vënë flakën dhe i kishin lëshuar nga kodra drejt e në kullë. Pastaj kishin lagur disa lecka me vajguri, i kishin ndezur ato dhe i kishin hedhur në kullë. Luftëtarëve kryengritës iu kishin mbaruar fishekët, por nuk dorëzoheshin. Pranuan të digjen brenda e të bëhen shkrumb, duke mbetur përjetë pishtarë të lirisë.

Përveç Sallahut, Musës e Miftar Luzhës, në kullë kishin mbetur të djegur edhe pesë luftëtarë tjerë, ndërsa Sali Luzhën, i cili kishte dalë nga kulla për t’iu shpëtuar flakëve, e kishin kapur të plagosur dhe e kishin varur në Kaçanik. Në ndihmë kryengritësve u kishte ardhur imami i fshatit Germovë, por ishte vonuar, i cili e kishte filluar luftën i vetëm me turq, por kishte mbetur i vrarë pas luftës së gjatë me zaptitë turq (pasardhësit e hoxhës së Germovës sot jetojnë në Siri).

Thuhet se ushtarët turq pastaj u sulën mbi popullsinë e lagjes Kuçishtë, duke vrarë e prerë njerëz të pafajshëm.

Rruga nga Shokobarja e deri në lagjen Kuçishtë në fshatin Begracë e ka marrë emrin e Sallah Luzhës.

Duhet që në vendin e luftimit të ngrihet një përmendore kushtuar të rënëve për liri.

Kënga e Sallah Luzhës*

Sallah Luzha, synin si filxhani,

Lumja nana trim që t’bani,

Në Stamoll të shkoi zani,

Me trimni të zu akshami.

Po lufton ai Musë dragoni,

Po shkon gjaku tej te prroni.

Bini djem, bini t’Luzhës,

Manjau krees e binju gushës.

Kush asht ai në maje t’kullës,

O asht Selimi more i Musë Luzhës.

Mos kaj nanë e mos kaj grue,

Nan’ sokola jemi ngujue,

Gur’t e kullës dojmë me i pague.

Mos kaj nanë e mos derdh lot,

Se nan’ kerre i mushën plot.

K’ta Verbani zo ku janë?

Kanë lidhë ditën n’veligdan

Kush i bani huxhum zaptive t’Tetovës,

O ju bani hoxha i Gërmovës.

 

*Këngën e shënoi Berat Luzha në vitin 1980 nga Shaqir Deda, atëherë plak 75-vjeçar www.shtegu.com

You may also like