“Ngjarjet në BDI, lojë nervash”, Selimi: Largimi i Grupit të zjarrit, do t’i shkaktonte humbje BDI-së

by admin
Spread the love

Përplasjet brenda BDI-së jo vetëm që nuk u qetësuan mirëpo edhe u thelluan pas mbledhjes së djeshme në Reçicë të Vogël. Grupi i zjarrit braktisi mbledhjen dhe para mediave njoftuan se janë shterur të gjitha mundësitë për debat dhe tani e tutje do të funksionojnë si fraksion brenda partisë.

“U shterën të gjitha mundësitë që ne të debatojmë në mënyrë të sinqertë dhe për problemet reale. Ne do të vazhdojmë me aktivitetet tona, me bazat partiake, me anëtarësinë dhe prej këtu ju bëj thirrje gjithë anëtarësisë të na mbështesin dhe të bashkëbisedojmë për dallimet që po imponon kjo qeveri që ka uzurpuar organet vendimmarrëse dhe që janë kompetencë e partisë. Me këtë, ne do të vazhdojmë të funksionojmë si fraksion brenda BDI-së dhe do të kemi qëndrimet tona për të gjitha çështjet e caktuara nga sot e tutje”, tha Blerim Bexheti.

Për këtë nuk u pajtua lideri i kësaj partie, Ali Ahmeti. Ai u shpreh se në parti lejohen mendime ndryshe por jo edhe fraksione.

“Fraksione në bazë të statutit në BDI dhe kongresit nuk lejohen. Në Kongres unë do e propozoj me qëllimin më të mirë që të fitojë propozimi për njohjen e fraksionit në BDI, po çdo veprim ndryshe nga statuti është anarki”, theksoi lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.
Analisti politik Sefer Selimi për Tv21 shprehet se derisa nuk ka ndonjë vendim final nga cilado palë, kjo gjendje do të vazhdojë deri në zgjedhjet e ardhshme.

“Unë e parashoh se kjo lojë nervash dhe kjo lojë me kohën shkon në favor të të dyja palëve meqë nuk janë të vendosura për hapat e mëtejshme dhe do të mundohen që njëra tjetrës t’i shkatërrojnë nervat le të themi në mënyrë figurative deri në momentin që do të shpërthejë te njëra palë. Dhe kjo do të vazhdojë sipas meje edhe më gjatë deri në zgjedhjet e ardhshme kur duhet të shohim se si do të pozicionohen palët atëherë kur duhet të mblidhen votat”, tha Sefer Selimi, analist.

Sipas tij, nëse eventualisht grupi i zjarrit vendosë të garojë ndaras BDI-së, kjo do ta dëmtonte BDI-në me humbje të deputetëve dhe të trupit votues.

“Përveç që mund të shkëpusë një numër të deputetëve në qoftëse hipotetikisht kemi garë ndërmjet këtyre dy palëve në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, jo vetëm që mund të shkëpusë deputetë nga blloku i vet megjithatë mund t’i bëjë edhe shumë dëm BDI-së duke humbur deputetë të tjerë. Z.Ahmeti kalkulon me lista të përbashkëta me Aleancën për Shqiptarët për të rekuperuar këto vota megjithatë unë mendoj se do të jetë mjaftë me rrezik dhe nëse nuk do t’i bëjë ndonjë lëkundje të madhe në pozicionin e liderit të BDI-së, do t’i shkaktojë dëme në trupin votues dhe numrin e deputetëve”, shtoi Selimi.

Ndryshe në seancën e djeshme u shqyrtua raporti i punës për funksionarët partiak në Qeveri. Raporti kaloi me 26 vota PËR, gjashtë KUNDËR dhe tre të përmbajtur. Grupi i zjarrit nuk heqin dorë nga kërkesa për shkarkimin e Artan Grubit nga të gjitha funksionet partiake dhe shtetërore. Të njëjtën e kërkojnë edhe për Kreshnik Bekteshin dhe Bujar Osmanin.

You may also like