Nga Ukraina deri më tani janë evakuuar rreth 120 qytetarë të Maqedonisë së Veriut

by admin
Spread the love

Nga Ukraina deri më tani janë evakuuar gjithsej 120 persona, nga të cilët një pjesë janë shtetas ukrainas me familjet e tyre, informoi ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani në brifingun e sotëm dhe theksoi se për një orë në vendkalimin kufitar Deve Bair do të arrijnë një grup qytetarësh, mes të cilëve edhe një familje me një foshnje.

“Prej tyre, 20 e kanë shfrytëzuar apelin tonë që ta lëshojnë shtetin para 24 shkurtit, para fillimit të konfliktit. Në evakuim aktiv janë 43 qytetarë tanë, që do të thotë se i kanë lëshuar vendbanimet dhe janë rrugës për të dalë nga Ukraina, para një ore shtatë qytetarë e kanë lëshuar shtetin”, kumtoi Osmani.

Ai shtoi se janë disa nga qytetarët tanë që e kanë lëshuar Ukrainën, por janë larguar në Poloni dhe kanë vendosur që të mbeten atje, me qëllimin në rastin e parë të kthehen sërish në Ukrainë. Ka edhe qytetarë, të cilët në Republikën e Maqedonisë së Veriut nuk kanë asgjë, përveç shtetësi maqedonase, të cilët kanë vendosur që të qëndrojnë në Poloni ose në vendet fqinje.
“Javën e kaluar Ministria e Punëve të Jashtme dërgoi një mision diplomatik në Ukrainë për të lehtësuar evakuimin e qytetarëve të Maqedonisë. Rreth 38 qytetarë ende jetojnë në Ukrainë, 11 prej tyre në Kiev, shtatë në Zaporozhje dhe 20 në qytete të tjera”, tha Osmani.

Lidhur me largimin e sërishëm të ambasadorit maqedonas Krum Efremov në Ukrainë, ministri theksoi se disa ditë para evakuimit, ambasada ndodhej e fshehur për shkak të bombardimeve, që i detyroi ata të evakuohen nga Kievi në një vend më të sigurt në Ukrainë.

Osmani ka sqaruar se pas evakuimit të tyre ka rifilluar procesi i evakuimit të qytetarëve të Maqedonisë dhe se jemi një nga vendet e pakta që e kemi kthyer ambasadën në Ukrainë, derisa të evakuohet edhe shtetasi i fundit prej andej.

You may also like