Nga rivaliteti me Xhixhën te loja në krah, Skuka për Oversport: Kam ruajtur gola për ndeshjet e tjera

by admin
Spread the love

Xhuliano Skuka gjeti rrugën e rrjetës në Shkodër duke shënuar një gol me peshë për t’i dhuruar fitoren Partizanit. Tashmë është ligj i pashkruar në këtë skuadër, kur shënon dibrani vijnë gjithmonë 3 pikët për “Demat”. Në një prononcim për Oversport, pas ndeshjes me Vllazninë ai thotë se kjo është një strategji e skuadrës.

“Normalisht që pas çdo goli jam gjithmonë i lumtur dhe kisha mundësi që të shënoja më shumë sesa një gol, por fati nuk donte. Besoj i kam lënë për ndeshje të tjera. Fakti që unë shënoj më shumë sesa të tjerët do të thotë që është programuar loja e tillë dhe në fazën sulmuese të përfitojmë nga shpejtësia ime”, tha sulmuesi.

Përpara sfidës me kuqeblutë, trajneri Kolela ia tërhoqi veshin sulmuesit sepse luan shumë në të djathtë. Vetë Skuka e pranoi diçka të tillë duke thënë se aty shfrytëzon hapësirat.

“Është e vërtetë që aty kam më shumë hapësira duke shfrytëzuar shpejtësinë. Kur jam në qendër jam pak më i bllokuar”, shtoi ai.

Skuka është i bindur që do të bëjë mirë edhe në sfidën e ardhshme ndaj Kastriotit dhe thotë se të kuqtë arritën ta përballonin mjaft mirë presionin pas humbjes në derbi.

“Pas çdo derbi është normale që humbja vret, sepse nuk është ndeshje si gjithë të tjerat. Por arritëm që ta menaxhonim mirë. Unë futem në fushë që të shënoj gjithmonë, por e mira është t’i marrim ndeshjet një nga një”, theksoi Skuka.

Duket se mes tij dhe Xhixhës ka nisur një tjetër rivalitet në distancë, por sulmuesi i Partizani tregohet kampion edhe përpara mikrofonit. Çmimi lojtari i muajit e ka motivuar shumë këtë të fundit.

“Konkurrenca është e mirë. Shpresoj që të shënojmë sa më shumë të dy. I uroj fat dhe të shënojmë sa më shumë gola. Sigurisht që çmimi si lojtari i muajit në Oversport më ka motivuar, por dua të bëj akoma më shumë”, tha ai. / Oversport.tv

You may also like