Nga finalja, te trajnerët italianë dhe Broja: Duka zbërthehet në Itali

by admin
Spread the love

“Air Albania” hap dyert për finalen e Conference League më 25 maj. Roma dhe Feyenoord përballen mes tyre, ndërkohë që “Corrierre dello Sport” ka intervistuar presidentin e FSHF, Armand Duka. Ai flet për finalen, problematikat e shfaqur, si dhe për tema të tjera që lidhen me kombëtaren dhe emra të veçantë.

“Ne të gjithë jemi vërtetë të emocionuar. Kjo ndeshje për ne ka nisur që para një viti, me inspektimet e ekspertëve të UEFA-s. E gjithë Shqipëria do të ketë mundësinë të përfitojë nga pritja e një eventi të këtij niveli. Ne kishim tentuar më parë të merrnim organizimin e Superkupës së Evropës. Në përpjekjen e dytë ia dolëm mbanë”.

“Stadiumi i vogël? E vërtetë, është i vogël, por është një xhevahir i vërtetë. Edhe përfaqësuesit e klubit të Romës, kur erdhën për ta vizituar u befasuan nga ambientet që të ofron ky impiant. Fatkeqësisht nuk do të ketë vend për të gjithë:.

“Çmimet? Për çmimet e kuptoj: nëse shkon në Paris për finalen e Champions League ose në Milano për panairet, ndodh e njëjta gjë”.

“Biletat për shqiptarët? Në fakt ky është një avantazh për Romën, sepse shumë shqiptarë kanë blerë bileta për miqtë e tyre italianë. Unë me Romën? Sigurisht. Madje, që nga fillimi i edicionit të UEFA Conferenca League. Shpresoj të jetë klubi italian që të fitojë trofeun, ndonëse finalet nuk janë kurrë të parashikueshme.

Mjafton të shikojmë se çfarë ndodhi në finalen e Europa League, Eintracht-Rangers. Por Mourinho ka lojtarin më të fortë. Kumbullën, sigurisht. Shpresoj që ai të luajë në këtë finale, është një nga shtyllat e Kombëtares sonë”, tha në vijim Duka.

Trajnerët italianë te Shqipëria? I kemi zgjedhur sepse janë të disiplinuar, shumë të përgatitur në aspektin taktik dhe e njohin mirë mentalitetin tonë. Me ta gjithashtu nuk kemi as problemin e gjuhës. Reja ka besimin tonë. Është për të ardhur keq nuk u kualifikuam për shumë pak në ‘play-off’-in e Kupës së Botës. Na penalizoi humbja ndaj Polonisë”.

“Shqiptari që pret të shpërthejë? Armando Broja, sulmues i Chelsea i vitlindjes 2001. Ai tashmë ka treguar aftësi të shkëlqyera me Southampton, ku është në huazim dhe tashmë po shënon edhe me kombëtaren shqiptare”. / oversport.tv

 

You may also like