Nga 18 sekondat e Granadës, te 76 të Antverpit, Barcelona 10 ndeshje pas

by admin
Spread the love

Fillimet e ndeshjeve janë kthyer në një makth për Barcelonën dhe përballja kundër Antverpit vetëm sa vërtetoi këtë fenomen te blaugranat. Si kundër Granadës dhe Alaveshit, Barça zbriti në fushë “e ftohtë” në Antverp, duke i dhuruar një gol pas vetëm 76 sekondash ekipit të drejtuar nga Mark van Bomel.

Një pasim jo i sigurt i Injaki Penjës dhe një kontroll i dobët nga Oriol Romeu i dhuruan Artur Vermerenit një asist, që ylli i Antverpit e ktheu në gol. Që Barça merr gola të shpejtë, nuk është më rastësi në këtë sezon. Në Granada ishte Brian Zaragoza që shënoi 1-0 pas 18 sekondash pas humbjes së topit nga Gavi. Të njëjtën gjë bëri Samu Omorodion për Alaveshin në “Montjuïc” pas një gabimi të Gyngoan. Barça nuk i shpëtoi gafave të saj në prapavijë edhe në “Nuevo Los Cármenes” (2-2), por që u shpëtua nga Levandovski.

Nuk duhet harruar as goli i parë i Majorkës, tetë minuta nga fillimi i takimit kur Vedat Muriqi shfrytëzoi një tjetër përgjumje të mbrojtjes katalanase. Në “Bosuilstadion” në Antverp u ringjallën fantazmat e një skuadre të detyruar të reagojë edhe më shumë pas humbjes ndaj Girona (2-4) të dielën e kaluar. Por që ishte një reagim i kotë.

REKORD – Por nuk mbaron historia me kaq. Shifrat bëhen dhe më alarmante, po të shohim se Barcelona gati në gjysmën e takimeve të luajtura në këtë sezon në Ligën e Kampioneve dhe në La Liga, e ka nisur takimin duke pësuar e para. Numrat tregojnë se në 22 ndeshjet që Barça ka luajtur këtë sezon (16 në La Liga dhe 6 në Ligën e Kampionëve) blaugranat kanë qenë mbrapa në tabelën e rezultateve në 10 raste, një shenjë e keqe që tregon se skuadra e Ksavi Hernandezit nuk i nis mirë duelet.

CHAMPIONS – Barcelona e ka parë veten në disavantazh në tri takime në Ligën e Kampioneve. Dhe vetëm në rastin e Portos, katalanasit kanë mundur të fitojnë me përmbysje (2-1). Në dy rastet e tjera kundër Shahtjorit dhe Antverpit kanë ardhur dy humbje për ekipin e Ksavit.

LA LIGA – Në La Liga situata për Barcelonën ka qenë disi më ndryshe. Të paktën për sa i takon rezultatit përfundimtar. Në La Liga, Barça e ka parë veten 7 herë në disavantazh, ku në fund ka pësuar vetëm një humbje, që ishte ajo e së dielës së kaluar në derbin e Katalonjës kundër Gironës kryesuese (2-4). Kundër Vijarrealit, Seltës dhe Alaveshit, Barça ndonëse e ka nisur në disavantazh takimin në fund ka ditur të përmbysë duke marrë pikët e plota. Ndërkaq, në tri takime të tjera kundër Vajekanos, Granadës dhe Majorkës, katalanasit kanë mundur të marin vetëm një pikë.

PANORAMASPORT.AL

You may also like