Nëse sot do jetonte, gjithë Shqipëria do festonte 83-vjetorin e Vaçe Zelës

by admin
Spread the love

Nëse sot do jetonte, gjithë Shqipëria do festonte 83-vjetorin e saj. Vaçe Zela është e do mbetet artistja që ndër vite rrallë herë u prezantua në skena veç me emrin e saj të vërtetë.

“Zëri i Artë i Shqipërisë”, “Ikona e Shenjtë e Këngës Shqiptare”, “Mbretëresha e Këngës Shqiptare”, “Ylli Polar që vërtitet i vetëm në Galaktikën e Këngës së Lehtë Shqiptare”, “Gjigandja e Skenës Shqiptare”, këta janë vetëm disa nga epitetet që u përdorën për artisten e zemrave shqiptare.

Ajo u zbulua rastësisht në Lushnjë, ku edhe lindi. Zëri i saj u dëgjua nga njerëzit e duhur dhe më pas u ngjit në skenën shqiptare ku për më shumë se 40 vjet krijoi mitin e saj të pavdekësisë duke hyrë në zemrën e çdo shqiptari brenda e jashtë atdheut.

Gjatë karrierës ajo ka marrë pjesë në shumë festivale të muzikës që prej organizimeve të para të tyre, duke fituar plot 12 çmime të para, një rekord i paarritur deri sot.

Vaçe Zela është fituesja e parë e Festivalit të Parë të Këngës në TVSH, me këngën “Fëmija i parë”. Repertori i saj është shumë i pasur; numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj.

Ajo ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë.

Këngët e saj mbeten popullore dhe të preferuara edhe sot nga publikun, ndërsa këndohen e risillen nga artistë modern.

Vaçe Zela është larguar përfundimisht prej skenës në vitin 1992.

Ajo është e vetmja grua shqiptare e nderuar sa ishte gjallë me Urdhrin “Nderi i Kombit” nga presidenti Alfred Moisiu me motivacionin: “Për vlerat e rralla si Artiste e Shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor.”

Për nder të këngëtares, viti 2009 u shpall nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si “Viti Vaçe Zela”. Gjithashtu një rrugë në Tiranë mban emrin e saj prej shumë kohësh.

Vace Zela ndërroi jetë në Zvicër më 2014, aty ku jetonte prej vitesh./revistawho.com 

You may also like