në Bangladesh luten për shi, në Tajlandë mbyllen shtëpitë – Shqip

by admin
Spread the love

Një valë ekstreme e të nxehtit po godet Azinë Juglindore si pasojë e së cilës mijëra shkolla në Filipine janë mbyllur, në Tajlandë banorët janë mbyllur në shtëpitë e tyre dhe në Bangladesh besimtarët muslimanë luten për shi.

Prilli konsiderohet të jetë një nga muajt më të nxehtë në këto vende, por këtë vit, vala e të nxehtit po përkeqësohet nga fenomeni klimatik El Nino, i cili po e çon merkurin në nivele rekord.

Në Azi, ndikimi i valëve të të nxehtit është gjithnjë e më i rëndë, nënvizoi Organizata Botërore Meteorologjike në një deklaratë për shtyp ditën e djeshme. Viti 2023 ishte viti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në botë.

Autoritetet filipinase këshilluan qytetarët që të mos dalin jashtë.

Temperaturat pritet të arrijnë 42 gradë Celsius ose më shumë sot në të paktën 30 qytete dhe komunitete në Filipine.

Ministria e Arsimit njoftoi se gati 6700 shkolla kanë pezulluar mësimin gjatë ditës së sotme.

Në Tajlandë, autoritetet këshilluan mijëra banorë të kryeqytetit Bangkok të qëndrojnë brenda sot për shkak të niveleve të nxehtësisë që konsiderohen “jashtëzakonisht të rrezikshme”.

“Ju lutemi shmangni kalimin e kohës jashtë,” paralajmëroi qeveria komunale e Bangkok në një postim në Facebook.

Shërbimi kombëtar i motit ka parashikuar që sot në kryeqytet temperatura të arrijë në 39 gradë Celsius.

Në këtë metropol prej 10 milionë banorësh dhe një destinacion popullor turistik, merkuri pritet të rritet më tej në ditët në vijim.

Punëtorët që detyrohen të punojnë jashtë, si shpërndarësit apo shitësit ambulantë, përpiqen të qëndrojnë në hije dhe të pinë ujë për të përballuar këto kushte, të cilat përkeqësohen nga ndotja e ajrit.

“Ndonjëherë, ndihem i trullosur, por jo deri në pikën e të fikëtit,” thotë Bupha Nakhin, një shitës mishi në rrugë, në një trotuar në Bangkok qendror.

“Më duket sikur do të më bie të fikët kur jam duke punuar jashtë, por nuk kam zgjidhje tjetër”, tha Bunsri Waenkaeu, një shofer mototaksi.

Në Bangladesh, mijëra muslimanë të devotshëm vendosën të luten për shi në xhami dhe në fshat në të gjithë vendin, ku shkollat ​​janë mbyllur deri në fund të muajit.

“Lutja për shiun është një traditë e profetit tonë,” i tha AFP Muhamed Abu Jusuf, një imam, pas lutjes së tij të mëngjesit para një mijë adhuruesve në Daka qendrore.

“Jeta është e padurueshme nga mungesa e shiut”, nënvizoi ai. “Të varfërit vuajnë shumë”.

Temperaturat u rritën mbi 42 gradë Celsius javën e kaluar në vend. Sipas shërbimit të motit, temperatura mesatare maksimale në kryeqytetin Dhaka këtë javë ishte 4 deri në 5 gradë Celsius më e lartë se mesatarja 30-vjeçare për të njëjtën periudhë.

“Ky muaj prill është një nga më të nxehtët që nga pavarësia” në 1971, tha për AFP Tariful Nawaz Kabir, një meteorolog.

Spitalet në rajonin bregdetar të Patuakali kanë raportuar shpërthime lokale të diarresë, ndër të tjera, për shkak të rritjes së temperaturave, siç tha për AFP kryemjeku i vendit, Bhupen Chandra Modal. “Numri i pacientëve me diarre është shumë i lartë këtë vit”, vazhdoi ai në përfundimin se “e gjitha kjo lidhet me ndryshimin e klimës”. /tesheshi.com/

You may also like