Natalie Portman: Qenieve njerëzore duhet t’u rrëfehen histori

by admin
Spread the love

Nga Gregorio Belinchón

Në vitin 1996, marrëdhënia midis Mary Kay Letourneau, një mësuese 34-vjeçare në një shkollë në Seattle, SHBA, e cila ishte e martuar dhe kishte 4 fëmijë, dhe e nxënësit të saj 12-vjeçar, Vili Fualaau, me prejardhje samoane, bëri bujë në mbarë botën.

Skandali shpërtheu kur Letourneau mbeti shtatzënë, dhe kur u zbulua se të dy ishin në një marrëdhënie seksuale. Burri i Letourneau u divorcua nga ajo dhe i mori me vete 4 fëmijët e tyre në Alaskë. Ky veprim shkaktoi një zinxhir ngjarjesh:prindërit e Vili Fualaau e paditën mësuesen dhe u zhvillua një gjyq.

Dënimi ishte i lehtë – vetëm 3 muaj burg – por do të ishte më i ashpër nëse Letourneautakohej sërish me nxënësin e saj. Pasi lindi një vajzë, ajo përfundoi vuajtjen e dënimit dhe doli nga burgu. Por një mëngjes në shkurtin e vitit 1998, policia e zbuloi atë me nxënësin e saj brenda një makine.

Një muaj më vonë, ajo njoftoi se ishte sërish shtatzënë. U dënua me 7 vjet e gjysmë burg dhe lindi në qeli vajzën e dytë me Fualaau. Mary nuk doli nga burgu deri në vitin 2004. Ajo u përpoq që të anulonte urdhrin që e pengonte atë të shihte Fualaau, dhe vitin e ardhshëm, të dy u martuan fshehurazi.

Në vitin 2018, një dokumentar konfirmoi se ata po divorcoheshin. Letourneau u diagnostikua me kancer dhe Fualaau i qëndroi pranë deri në vdekjen e saj në moshën 58 vjeçare në korrik 2020. Kjo ngjarje dramatike ishte një ushqim për tabloidët dhe televizionet që merren me lajmet rozë.

Kjo histori ka depërtuar në kinema falë filmit “May December,” me regjinë e Todd Haynes, që garoi në Festivalin e 76-të të Filmit në Kanë. Në film protagoniste janë aktorja JulianneMoore si Gracie AthertonYoo, personazhi i frymëzuar nga Letourneau dhe Natalie Portman, e cila luan rolin e Elizabeth Berry, një aktore fituese e Çmimit Oscar, e cila dëshiron të mësojë më shumë mbi Gracie në përgatitjen e një filmi për jetën e saj.

Kur Berry takon Gracie, ajo punon me kohë të pjesshme në një dyqan kafshësh në Savannah. Për Natalie Portman, May December, është një film shumë i veçantë:është filmi i parë i realizuar nga kompania e saj MountainA, dhe ishte ajo që me skenarin në dorë kërkoi për regjisorin e duhur.

“Më shkoi menjëherë mendja për Todd, për shkak të aftësisë së tij për të portretizuar jetën e njerëzve të periferive”- tha ajo në konferencën për shtyp. Nga ana tjetër Todd ftoi JulianneMoore për të luajtur rolin e një gruaje të lidhur në mënyrë romantike me një djalë (në këtë version, ai ka prindër koreanë) 23 vjet më të ri.

Todd ishte zgjedhja ime e parë, një ëndërr. Dhe kur ai e bindi Julianne, e çoi një hap më tej ëndrrën time”- shtoi Portman duke buzëqeshur. Ajo vetë debutoi në kinema në vitin 1994, duke luajtur rolin e një vajze me një marrëdhënie komplekse me një vrasës në “León:The Professional”.

May December” fokusohet sa në marrëdhënien romantike po aq sa edhe në marrëdhënien midis aktores dhe personazhit që do të luajë. “Roli im, është një mundësi që ne të gjithë të analizojmë nëse arti mund të jetë amoral. Sa filma janë bërë për vrasës serialë, sa vrasje shohim në ekran, pa bërë një gjykim vlerash?”- pyeti ajo.

Dhe ky reflektim ndodh përmes një personazhi moralisht të dyshimtë të luajtur nga Portman. Me një përzierje komedie të errët, skenash të trazuara dhe një atmosfere telenovelash, MayDecember, e ritregon historinë famëkeqe.

“Unë kam qenë aktore për pjesën më të madhe të jetës sime, ndaj e kam kërkuar këtë rol për gjithë ato vite. Ajo që është magjepsëse tek personazhi, është se ajo nuk e ka problem të aktrojë gjatë gjithë kohës, dhe është e gatshme të shkojë shumë larg për të arritur synimet e saj, madje edhe kur mbetet vetëm”- thekson aktorja.

Për Portman, imazhi i aktorëve si parazitë që shfrytëzojnë emocionet e njerëzve të tjerë për t’i dhënë jetë punës së tyre është një klishe e pavërtetë. “Krijimi i jetëve të tjera në teatër apo kinema, është për mua një akt dashurie dhe dhembshurie dhe sigurisht një gëzim”-thekson ajo.

Gjatë pandemisë, Portman e pranon se ishte e shqetësuar për të ardhmen e saj profesionale:“Unë e kam bërë këtë punë për kaq shumë vite, dhe kam parë ndryshimin rrënjësor të kësaj industrie. Nuk e humba shpresën se do të aktroja sërish pas përfundimit të bllokimit. Duke qenë se jemi qenie njerëzore, kemi nevojë që të na rrëfehen histori reale”.

Në filmin “May December”, personazhi i Portman mban një fjalim në një kurs teatri ku merr pjesë fëmija më i vogël i Gracie. Gjatë bisedës, ajo rrëfen se skenat e seksit janë sa të bezdisshme aq sa edhe magjepsëse, dhe se ndonjëherë mund të rrëmbehet nga kimia që ka me kolegët e saj.

“Është një moment që bie në sy në skenar. Ne të gjithë kemi ndjenja të vërteta për qeniet e tjera njerëzore. Dhe kjo ndodh si në aktrim ashtu edhe në jetën reale. Ju duhet të dini se si ta menaxhoni atë, dhe të mos e ngatërroni punën me emocionet. Në rastin tim, unë nuk jam ndjerë kurrë rehat me skenat e seksit”- shprehet ajo.

Një sfidë tjetër interesante e skenarit, thotë Portman, ishte të tregonte një grua që kryente një krim që zakonisht burrat e kryejnë kundër grave. “Ky kapërcim psikologjik është i jashtëzakonshëm. Dhe kjo ndodh sepse ne nuk i kemi parë kurrë të gjitha versionet e mundshme të grave në ekran. Për mua, kjo do të ishte arritja e barazisë. Mund të jemi njerëz të ligj, atletë, budallenj, të zgjuar, kompleksë… Sa më shumë larmi, aq më mirë”- nënvizon Natalie.

Si pjesë e aktivizimit të saj si feministe, Portman është një nga themelueset e një ekipi profesionist të futbollit për femra në Los Anxhelos. “Prej disa kohësh, më pëlqen të bëj gjëra më të rrezikshme, si ky film. Unë kam dekada të tëra që aktroj, dhe tani që kam kaluar tek produksioni, kam zbuluar sfida të tjera…por edhe vështirësi të tjera. Këtë herë gjithçka ka rrjedhur si duhet, dhe shpresoj të vazhdojë kështu edhe për një kohë të gjatë”- përfundoi aktorja. / El Pais” – Bota.al

You may also like