NASA: Bashkëpunimi në hapësirë me Rusinë vazhdon të shkojë mirë

by admin
Spread the love

UASHINGTON, 28 shkurt /ATSH-DPA/- Pas sulmit rus në Ukrainë, agjencia amerikane e hapësirës NASA do të vazhdojë të monitorojë situatën në bashkëpunim me Rusinë.

“Për momentin operacionet vazhdojnë normalisht”, deklaroi sot Kathy Lueders, drejtuesja e programit hapësinor të NASA-s.

“Ne po vazhdojmë të monitorojmë situatën. Nuk kemi asnjë indikacion nga homologët tanë që ata nuk janë të përkushtuar për të vazhduar operacionet”, shtoi ajo.

Lueders tha se fleksibilitetet e mundshme operacionale po monitoroheshin gjithashtu, ndërsa theksoi se do të ishte një ditë e trishtuar për operacionet ndërkombëtare nëse nuk do të mund të vazhdonin të punonin së bashku në hapësirë.

Ajo tha se ekipet nga të dy vendet ishin në kontakt të vazhdueshëm dhe aktualisht NASA po merrte të gjithë mbështetjen e nevojshme nga Rusia. Ata po punojnë së bashku, ashtu siç ishin tre javë më parë”, tha Lueders.

“Ne kemi vepruar në këto lloj situatash edhe më parë dhe të dyja palët kanë vepruar gjithmonë shumë profesionalisht…dhe vazhdon të jetë një marrëdhënie paqësore mes këtyre dy vendeve në hapësirë”, vazhdoi Lueders.

Agjencia ruse hapësinore Roscosmos kishte theksuar gjithashtu më herët dëshirën e saj për të vazhduar bashkëpunimin me SHBA-në në hapësirë, që përfshin mirëmbajtjen e Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor (ISS) dhe fluturimet drejt tij.

Aktualisht, astronauti gjerman Matthias Maurer është duke punuar me katër kolegë amerikanë dhe dy rusë në postën njerëzore.

Astronauti i NASA-s Mark Vande Hei do të kthehet në Tokë në fund të marsit me një kapsulë ruse Soyuz. “Ky plan është duke u respektuar për momentin”, tha Lueders.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like