MYNIH – Osmani: Çdo dështim i trajektores evropiane të Ballkanit Perëndimor pasoja dramatike për BE-në

by admin
Spread the love

MYNIH, 20 shkurt /ATSH-MIA/ – Çdo dështim për të ruajtur trajektoren evropiane të Ballkanit Perëndimor mund të ketë pasoja dramatike për vendet e rajonit dhe BE-së, deklaroi sot ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në
kuadër të Konferencës së Munihut për Sigurinë.

Osmani mbajti fjalimin e tij në panelin ”Një zbrazëti në zemër të Evropës? Kthim në Ballkan”.

Diskutimet u fokusuan në riafirmimin e qasjes së Bashkimit Evropian ndaj Ballkanit Perëndimor si një partner strategjik dhe i besueshëm për Evropën, ku Osmani iu referua përpjekjeve të Maqedonisë së Veriut për integrim në Bashkimin Evropian.

”Çdo dështim për të ruajtur trajektoren evropiane të Ballkanit Perëndimor mund të ketë pasoja dramatike për vendet e rajonit dhe BE-së, përfshirë në aspektin e sigurisë dhe migracionit. Vendet tona duhet të vazhdojnë të ecin para në aspekt të pajtimit dhe zgjidhjes së mosmarrëveshjeve bilaterale, në frymën evropiane si dhe për të forcuar reformat themelore, veçanërisht në aspektin e sundimit të ligjit”, theksoi ai.

Në këtë panel ishin edhe presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, ajo e Kosovës, Vjosa Osmani, sekretari i Shtetit për Mbrojtjen i Britanisë së Madhe, Ben Wallace, ministrat e Punëve të Jashtme të Kroacisë, Kosovës dhe Bosnje-Hercegovinës, ambasadori i SHBA-së në NATO, Julian Smith, Përfaqësuesi Special i BE-së për Ballkanin Perëndimor Miroslav Lajçak dhe Përfaqësuesi Special i Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut,
përgjegjës për Ballkanin Perëndimor, Stewart Peach./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like