MYNIH – Hungaria bllokon apelin e përbashkët të BE-së drejtuar Izraelit për të ndalur sulmin në Rafah

by admin
Spread the love

MYNIH, 17 shkurt /ATSH-DPA/ – Hungaria bllokoi sot apelin e përbashkët të BE-së drejtuar qeverisë izraelite, për të mos nisur ofensivën tokësore në shkallë të plotë në Rafah, sipas diplomatëve të BE-së.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, bëri thirrje për apelin e përbashkët në Konferencën e Sigurisë në Mynih dhe tha se shpresonte se mund të arrihej unanimiteti për t’i kërkuar “formalisht” Izraelit që të mos pushtonte qytetin jugor të Gazës.

Borrell kishte planifikuar t’i bënte thirrje Izraelit, si kryediplomati i Bashkimit Evropian, të ndalte veprimet ushtarake në Rafah për të shmangur përkeqësimin e situatës tashmë katastrofike humanitare.

Më shumë se 1 milion palestinezë jetojnë aktualisht në Rafah, i cili është kthyer në një qytet me tenda të përhapura deri në kufirin me Egjiptin. Shumica e tyre janë refugjatë të zhvendosur nga pjesë të tjera të Rripit të Gazës.

Shumë nga aleatët e Izraelit, duke përfshirë SHBA-në, Britaninë e Madhe dhe Gjermaninë, kanë shprehur frikën se pushtimi tokësor mund të përkeqësojë në mënyrë dramatike situatën tashmë të rëndë humanitare në zonë.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like