MOSKË – Putin: Rusia dhe Franca ndajnë të njëjtin shqetësim për situatën e sigurisë në Evropë

by admin
Spread the love

MOSKË, 7 shkurt /ATSH-AA/-Presidenti rus, Vladimir Putin deklaroi sot se Rusia dhe Franca ndajnë të njëjtin shqetësim për situatën e sigurisë në Evropë.

Në një takim me presidentin francez, Emmanuel Macron, në Moskë lidhur me tensionet në Ukrainë, presidenti Putin falënderoi homologun e tij francez për qëndrimin e tij “aktiv” ndaj atyre që ai i quajti probleme të sigurisë evropiane.

“E kuptoj se ne kemi një shqetësim të përbashkët për atë që po ndodh në sferën e sigurisë në Evropë. Dua t’iu falënderoj për faktin se Franca gjithmonë ka qenë e përfshirë në mënyrë aktive në zhvillimin e vendimeve themelore në këtë fushë”, tha Putin.

Presidenti rus më pas vlerësoi përpjekjet e presidentit francez Macron për zgjidhjen e çështjes së Ukrainës dhe ofrimin e “sigurisë së barabartë” në Evropë.

“Unë shoh se sa shumë përpjekje po bëjnë udhëheqja aktuale e Francës dhe personalisht presidenti i Francës për të zgjidhur krizën që lidhet me garantimin e sigurisë së barabartë në Evropë për një perspektivë serioze historike dhe për të adresuar çështjet që lidhen ngushtë me sigurinë, me zgjidhjen e krizës së brendshme të Ukrainës në juglindje të vendit”, tha Putin, duke iu referuar rajonit Donbas të shkatërruar nga konflikti.

Ndërkaq, presidenti Macron tha se dialogu me Rusinë është “rruga kryesore për të arritur stabilitetin dhe sigurinë në Evropë”.

“Ne kemi hedhur themelet për një dialog të plotë dhe të hapur në vitin 2019. Mendoj se dialogu tani është më i rëndësishëm se kurrë. Ky dialog është i nevojshëm, vetëm ai do të garantojë siguri dhe stabilitet në kontinentin evropian”, tha Macron.

Macron shtoi se në takimin e tij me homologun rus ai shpreson të gjejë një përgjigje për çështjet e sigurisë si për Evropën ashtu edhe për Rusinë.

“Më vjen mirë që do të mund të diskutoj të gjitha çështjet në detaje dhe të kërkojmë një përgjigje kolektive që është e dobishme për Rusinë dhe të gjithë Evropën. Një përgjigje e tillë do të ndihmojë për të shmangur luftën dhe për të ndërtuar stabilitet, transparencë dhe besim për të gjithë”, tha Macron.

Moska dhe Kievi janë përfshirë në konflikt që nga shpërthimi i armiqësive në rajonin lindor Donbas në vitin 2014 pasi Rusia aneksoi Gadishullin e Krimesë. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like