MOSKË – Parlamenti rus i kërkon Putinit të njohë rajonet e shkëputura të Ukrainës

by admin
Spread the love

MOSKË, 15 shkurt /ATSH-DPA/- Ligjvënësit rusë i bënë thirrje presidentit Vladimir Putin që të njohë dy rajonet e shkëputura lindore të Ukrainës, Luhansk dhe Donetsk si “republika popullore”.

Nëse rezoluta miratohet nga Putini, ajo në thelb do t’u jepte njohje diplomatike rajoneve dhe do t’i trajtonte ato si shtete të pavarura nga Ukraina. Separatistët e mbështetur nga Rusia kanë luftuar me forcat qeveritare të Ukrainës që nga viti 2014 në Luhansk dhe Donetsk.

Një akt i tillë nga Moska do të përshkallëzonte në mënyrë dramatike tensionet në një kohë kur bota është e shqetësuar se Rusia mund të pushtojë fqinjin e saj.

Masa e parlamentit u ndesh me kritika ndërkombëtare.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se njohja e Donetskut dhe Luhank-ut si të pavarur do të ishte “një shkelje e ligjit ndërkombëtar dhe integritetit territorial dhe autoritetit të Ukrainës”, si dhe të marrëveshjeve të paqes të Minskut.

“Nuk ka dyshim se Donetsk dhe Luhansk janë pjesë e Ukrainës brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht”, tha ai.

Bashkimi Evropian “dënon fuqishëm” kërkesën e Dumës Shtetërore, tha në një deklaratë shefi i Punëve të Jashtme Josep Borrell.

Duma Shtetërore, Dhoma e Ulët e Rusisë, me shumicë dërrmuese votoi të martën për t’ia dërguar dokumentin presidentit Putin. Udhëheqësi i Dumës Vyacheslav Volodin tha se propozimi do të ishte menjëherë në tryezën e Putinit.

Një zëdhënës i Kremlinit tha se Duma Shtetërore pasqyron vullnetin e popullit rus, ndërsa theksoi se Putini duhet të marrë ende një qëndrim lidhur me këtë çështje.

Rubla ruse është tashmë monedha e përbashkët në Luhansk dhe Donetsk. Rusia u ka dhënë qindra mijëra personave shtetësinë atje dhe është shumë e përfshirë në shërbimet sociale dhe ekonominë e zonës.

Kërkesa e Dumës Shtetërore u prit me entuziazëm nga separatistët. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like