Mjafton një gol i Duke ndaj Tunizisë, Australia merr fitoren e parë në këtë Botëror

by admin
Spread the love

Sfida Tunizi-Australi ka çelur maratonën e ndeshjeve të ditës së sotme të Botërorit në platformën Tibo. Një gol i Duke në pjesën e parë ka vulosur fatin e kësaj sfide dhe i ka dhënë tre pikë të arta Australisë, që tashmë beson te një kualifikim i mundshëm. Komplikohen pozitat e Tunizisë, që pas kësaj disfate rrezikon eliminimin nga turneu.

Australianët nisin më mirë takimin dhe arrijnë të zhbllokojnë sfidën me Duke, që shënon një gol të bukur me kokë. Tunizia vuan dhe nuk arrin që të përsërisë paraqitjen e mirë që bëri në ndeshjen hapëse kundër Danimarkës. Gjithsesi me kalimin e minutave afrikanët rriten në lojë dhe i afrohen golit të barazimit me Drager dhe Msakni në fund të pjesës së parë.

Minutat e para të pjesës së dytë janë të qeta dhe mungojnë rastet e pastra për shënim. Australia administron avantazhin, ndërsa Tunizia nuk arrin që të shfaqet rrezikshëm në sulm. Australianët i afrohen golit të dytë me Leckie, ndërsa afrikanët përgjigjen menjëherë me Msakni.

Pavarësisht përpjekjeve të Tunizisë për të barazuar shifrat, nuk ndryshon rezultati i kësaj sfide në minutat e mbetura. Australia triumfon 1-0, merr fitoren e parë në Katar 2022 dhe rrit ndjeshëm shanset për kualifikim, ndërsa komplikohet situata për Tunizinë, që me vetëm 1 pikë në 2 sfida do të luajë kundër Francës në ndeshjen e fundit të grupit D. / Oversport.tv

Foto: FIFA World Cup Twitter

You may also like