Mjafton një barazim kundër Teutës, Laçi në finalen e Kupës së Shqipërisë

by admin
Spread the love

Laçi është finalisti i parë i Kupës së Shqipërisë. Një barazim 1-1 ka mjaftuar për ekipin e Shpëtim Duros që të kualifikohej për finalen e madhe, ku do të presë triumfuesin e gjysmëfinales tjetër Vllaznia-Partizani. Golit të Hebajt, iu përgjigj Adeleke, ndërsa fitorja në ndeshjen e parë 2-1 i dha edhe avantazhin për rezultatin e përgjithshëm.

Takimi nisi qetë me të dyja ekipet që po studionin njëra-tjetrën në minutat e para. Më pas ishte Laçi që u shfaq rrezikshëm me anë të Serxho Ujkës, por Pano Qirko grushtoi gjithçka duke e lënë të paprekur rrjetën e portës së tij.

Nga ana tjetër, një gabim i Velkoskit i dha edhe shansin më të artë Teutës, që nuk gaboi. Mbrojtësi i Laçit nuk e largoi dot si duhej topin, ndërsa Emiljano Vila diti ta shfrytëzonte mjaft mirë duke nxjerrë me portën bosh Hebajn që çoi edhe topin në rrjetë.

1-0 për Teutën dhe tashmë durrsakët kanë të gjithë të drejtën për të besuar te finalja e madhe. Megjithatë, Laçi nuk e humbi toruan dhe në fundin e pjesës së parë, Adeleke qetësoi disi kurbinasit pasi vendosi sërish gjithçka në baraspeshë. Me një goditje të bukur në cepin e portës, nigeriani i çoi shifrat në 1-1.

Në pjesën e dytë Laçi ishte më kërkues, por Pano Qirko ishte i pakalueshëm. Guindo e Adeleke tentuan disa herë me Qirkon që nxori nga repertori i tij disa pritje të shkëlqyera. Kurbinasit kërkuar edhe një 11-metërsh, por për gjyqtarin e takimit gjithçka ishte e rregullt.

Me rezultatin 1-1 përfundoi edhe takimi, ndërsa në finalen e madhe shkon Laçi i Shpëtim Duros. Kurbinasit do të presin në finale fituesin e gjysmëfinales tjetër, Vllaznia-Partizani. /oversport.tv

KUPA E SHQIPËRISË- GJYSMËFINALJA E KTHIMIT
Laçi – Teuta 1-1 (2-1)
Shënues:
Akinyemi 44’ / Hebaj 15’

You may also like