Misioni “Europë”/ Shkupi për historinë, Shkëndija e Tetovës kërkon kualifikimin e tetë radhazi

by admin
Spread the love

Misioni “Europë” vazhdon për skuadrat shqiptare, me Shkupin dhe Shkëndijën e Tetovës që mbrëmjen e 20 korrikut do të kërkojnë zyrtarishit biletën e kualifikimit në raundin e dytë të UEFA Conference League në përballjet respektive ndaj Hegelmann dhe Haverfordwest.

Nëse në Cardiff, “kuqezinjtë” i kanë ende llogaritë e hapura, në Shkup, skuadra e Arslan do të kërkojë formalitetin e ndeshjes së kthimit, kjo pasi në takimin e parë, Shkupi triumfoi në transfertë me rezultatin 5-0 ndaj debutuesve të Hegelmann.

Një sukses shumë i rëndësishëm, por gjithashtu edhe historik, sepse është fitorja më e thellë në tokën europiane. Në Kaunas, Shkupi diktoi ritmin dhe tregoi vizionin e duhur, ndërsa vëmendjen e mori sulmuesi Renaldo Cephas, autori i katër golave. Në krahun tjetër, skuadrës lituaneze, Hegelmann i duhet një mrekulli për të tentuar kualifikimin, që në letër apo bazuar në ndeshjen e parë, duket diçka e pamundur.

Kështu, Shkupi do të kërkojë kualifikimin e tretë radhazi në kualifikuese dhe do të kërkojë suksesin e dytë ndaj të njëjtit kundërshtar, pasi nuk ka ndodhur kurrë që, Shkupi të marrë dy fitore në 180 minuta në kualifikueset e një kompeticioni Europian.

Nga Shkupi në Cardiff. Shkëndija e Tetovës gjithashtu është pranë kualifikimit, me “kuqezinjtë” të cilët triumfuan minimalisht 1-0 në ndeshjen e parë përballë Haverfordwest. Llogaritë e kualifikimit janë të hapura, por bazuar në 90 minutat e para, skuadra nga Tetova dominoi të gjithë ndeshjen dhe nëse do të kishte saktësinë e duhur, mund të kishte “fluturuar” drejt Uellsit me një rezultat më komod.

Por, e kaluara mbetet e kaluar dhe Shkëndija nuk kërkon të kapet te gabimet e takimit të parë, por të mbyllë me sukses këtë ndeshje, e cila mbetet shumë e rëndësishme. Të besuarit e Ardian Nuhiut do të luajnë ndeshjen numër 51 në Europë, në sezonin e 10-të radhazi.

Gjithsesi, sa i përket historisë, Shkëndija nuk ka shumë kujtime të bukura nga Uellsi, pasi në vizitën e parë dhe të vetme, në sezonin 2018-2019, “kuqezinjtë” u mposhtën 4-0 përballë TNS, por tani gjërat kanë ndryshuar shumë dhe përballë është një skuadër modeste dhe pothuajse me statusin e debutuesit.

Haverfordwest kishte vetëm një mision në Shkup, të mos pësonte, por në fund nuk ia doli, ndërsa krijoj pak, për të mos thënë aspak, por natyrisht, në Cardiff pritet një ndeshje më e luftuar. Merkato e zhvilluar gjatë verës i dha frytet e para për Shkëndijen, ndërsa me interes pritet edhe rikthimi i Bruno Ditës, për të cilin, stafi mjekësor do të vendosë në minutat e fundit, nëse do të jetë i grumbulluar apo jo.

Nëse mbështetemi te historia, Shkëndija kërkon të kaloj një tur për të tetin sezon radhazi, por transfertat gjithmonë kanë rezultuar të vështira.

Të enjten, misioni është i qartë, me shpresën dhe dëshirën se Shkupi dhe Shkëndija do të vijojnë “fluturimin” në arenën europiane këtë sezon dhe emocionet e skuadrave shqiptare, Shkupi-Hegelmann (21:00) dhe Haverfordëest-Shkëndija (20:45) do të keni mundësi t’i përjetoni live dhe ekskluzivisht vetëm në Shqip. /Supersport


Top Channel

You may also like