​Ministrja e Jashtme e Suedisë shpreh mbështetje për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi

by admin
Spread the love

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministren, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, takuan në Mynih ministren e Punëve të Jashtme të Suedisë, Ann Linde.

Kryeministri Kurti vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira dhe ndihmën e madhe të Suedisë për zhvillimin socio-ekonomik të Kosovës.

Ai e vlerësoi shumë të rëndësishme përkrahjen e qeverisë suedeze për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe shtoi se ky proces nuk mund të shtyhet më tej.

U bisedua edhe për dialogun me Serbinë dhe kryeministri Kurti theksoi rolin konstruktiv dhe gatishmërinë për të vazhduar bisedimet që në qendër kanë njohjen e ndërsjellë.

Ministrja Linde shprehu mbështetje për dialogun në Bruksel, për normalizimin e  marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Lidhur me agjendën evropiane, kryeministri Kurti tha se institucionet dhe vlerat euro-atlantike duhet të jenë të hapura për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

You may also like