Ministrja e Drejtësisë u takua me gratë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë

by admin
Spread the love

Në një takim të mundësuar nga QKRMT, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, takoi disa nga të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës me të cilat diskutoi për sfidat e tyre, pengesat në njohjen e statusit të tyre si dhe rëndësinë e adresimit të këtyre krimeve të luftës në Prokurorinë Speciale me ç’rast i njoftoi për angazhimin në rritjen e kapaciteteve e kësaj prokurorie.

Ministrja Haxhiu falenderoi Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës për kontributin e dhënë ndërvite, duke qenë adresë për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës.

Në ditën ndërkombëtare të gruas, ministrja Haxhiu së bashku me ministrin e Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kanë pritur në takim përfaqësueset gra nga komunitetet egjiptian, ashkali dhe rom.

Gjatë këtij takimi u theksua përfshirja dhe roli shumë i rëndësishëm i gruas, si në jetën shoqërore, politike e kulturore. Ministrja Haxhiu theksoi se diskriminimi i grave dhe vajzave në Kosovë bëhet nga radhët e të gjitha komuniteteve, por më e theksuar është tek këto komunitete.

Nga ana tjetër, ministri i Pushtetit Lokal Elbert Krasniqi tha se “Fakti që kjo qeveri në vazhdimësi ka interes t’i trajtojë kërkesat e një komuniteti të margjinalizuar do të thote shumë. Investimi në shkollimin e pjestarëve të komunitetit, veçanërisht të vajzave duhet të trajtohet me prioritet”.

Ministrja Haxhiu shprehu zotim se përpjekjet e saj do të jenë të vazhdueshme në trajtimin me prioritet të të drejtave të grave, punësimit dhe avancimit të rolit të tyre në shoqëri.

You may also like