Milani 1 pikë larg titullit, Leao e Theo i japin fitoren ndaj Atalantës

by admin
Spread the love

Milani ka arritur një fitore me aromë titulli përballë Atalantës pasi triumfoi në San Siro me rezultatin e pastër 2-0. Leao dhe Theo Hernandez çuan djallin në parajsë me golat e tyre, ndërsa Milani tashmë është vetëm një pikë larg titullit kampion gjithmonë në rast se Interi arrin të fitojë sot përballë Cagliarit.

Ndeshja ka shumë peshë për të dyja skuadrat dhe në minutat e para të takimit trajnerët e mbajnë ekipin të tërhequr për të studiuar disi kundërshtarin. Megjithatë, rritmi fillon të rritet gradualisht dhe ekipet japin edhe shkëndijat e para të takimit, por pa rrezikuar sa duhet portën.

Giroud e Leao duket se janë bllokuar mirë nga mbrojtja e Atalantës, ndërsa të besuarit e Gasperinit provojnë nga distanca me Muriel që kërkon të shtang Maignan, por pa sukses. Megjithatë, të gjithë lojtarët bëjnë vetëm “zhurmë” në zonën kundërshtare pasi nuk finalizojnë dot asnjë aksion duke i çuar ekipet në dhomat e zhveshjes në baraspeshë.

Në pjesën e dytë, Milani vihet në kërkim të fitores dhe merr në dorë fatin e vetë. Shansin e parë e ka Atalanta me Zappacosta, ndërsa Milan kundërpërgjigjet me Theo Hernandez që nuk gjen dot rrjetën.

Pas 10 minutash lojë nga fillimi i pjesës së dytë, Rafael Leao ngrë peshë stadiumin pasi gjen edhe golin që i jep epërsinë Milanit me një goditje mes këmbëve të Musso. 1-0 për Milanin dhe tashmë Pioli dhe lojtarët e tij mund të jenë më të qetë pasi hedhin një hap më tej drejt titullit kampion.

Atalanta provon të vendosë baraspeshën me Zapatën që ka dy shanse të mira shënimi, por pa sukses. Milani ndërkohë hipotekon fitoren pas një supergoli të Theo Hernandez. Mbrojtësi francez merr topin i vetëm që nga zona e tij dhe me një sprint fantastik shkon deri në portën kundërshtare duke vulosur edhe rezultatin final të takimit.

Atalanta nuk ka më asgjë për të humbur dhe hidhet e gjitha në sulm, por lë shumë hapësira pas duke i dhënë mundësinë Milanit për disa kundërsulme. Rastet megjithatë nuk shfrytëzohen si duhet, njësoj siç bën Atalanta.

Kështu sfida përfundon me fitoren e Milanit që del me pikë të plota nga ky takim i rëndësishëm dhe ka shansin të shpallet kampion që sot në rast se Interi barazon ose humbet me Cagliarin.

Në rast se kjo gjë nuk ndodh, mjafton vetëm një pikë në javën e fundit përballë Sassuolos që Milani të shpallet kampion i Italisë. Nga ana tjetër, Atalanta qëndron në vendin e tetë dhe Europa duket më larg se kurrë. /oversport.tv

Foto: AC Milan, Twitter

You may also like