Memli Krasniqi ka pasuri të paluajtshme 270 mijë euro dhe gati 11 mijë euro kesh (FOTO)

by admin
Spread the love

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka deklaruar se si pasuri të paluajtshme posedon një apartament 110 metra katrorë dhe një shtëpi 202 metra katrorë me 2.86 ari truall që në total kanë vlerë 270 mijë euro.

Krasniqi në Agjencinë Kundër Korrupsionit si pasuri të luajtshme ka deklaruar bibliotekën personale me vlerë prej 13 mijë eurosh, piktura dhe vepra arti me vlerë 6500 euro dhe një veturë Tiguan me vlerë 22 mijë e 500 euro që është në pronësi të bashkëshortes së tij.

Por, sa para të gatshme ka në institucione financiare kryetari i PDK-së?

Memli Krasniqi në dy banka të ndryshme, një Prishtinë dhe një në Bullgari, ka afro 11 mijë euro para të gatshme, derisa bashkëshortja e tij ka 813.91 euro në llogarinë e saj bankare.

Në formularin e deklarimit të pasurisë, Krasniqi ka treguar se ka dy kredi, 65 mijë euro që i ka marrë për blerjen e shtëpisë dhe 30 mijë euro për renovimin e shtëpisë, në ndërkohë që edhe bashkëshortja e tij ka kredi në vlerë prej 23 mijë e 265 euro të cilën e ka marrë për blerjen e veturës.

Në deklarimin e të hyrave vjetore, ku ka deklaruar të hyra vjetore nga paga në Kuvendin e Kosovës prej 21,602.58 euro, rezulton se Memli Krasniqi ka tërhequr dy herë kriptovaluta në vlerë afër 10 mijë euro – një herë 3 mijë e 78 euro dhe një herë 6 mijë e 177 euro e 91 centë./ Klankosova.tv.

 

You may also like