Mehmeti: Skuka duhet të rritet, histori tjetër ndaj Kukësit nesër

by admin
Spread the love

Dritan Mehmeti, trajneri i Partizanit, ka dalë para mediave në prag të duelit kundër Kukësit. Ai ka folur për shumë çështje, duke nisur nga penalltitë e padhëna kundër Dinamos, te sfida e radhës, presioni në klubin e kuq dhe një nga problemet kryesore, finalizimi i rasteve dhe dhënia e pasit të fundit kur luajnë ndaj ekipeve që mbrohen me forca të shumta.

GJYKIMI NDAJ DINAMOS – “Duke pasur parasysh mënyrën se si e shikoj futbollin, nuk gjykoj arbitrat. Normalisht ato ndikojnë në rezultat, janë dy penallti në minutën e gjashtë dhe të 40-të. Unë merrem me mënyrën se si skuadra ime sillet në fushë. Skuka prodhon goxha, por duhet rritur dhe të jetë më efikas para portës dhe më altruist”.

KUKËSI – “E respektojmë kundërshtarin, kanë një fizionomi loje dhe lojtarë të mirë. Nesër do të ketë një histori ndryshe kjo ndeshje. Jemi përgatitur të marrim masa për pikat e forta të Kukësit, por edhe për të dobëtat. Do mundohemi t’i marrim maksimumin kësaj ndeshjeje”.

MOMENTI PËR TË FITUAR – “Ne futemi në fushë për të marrë pikët maksimale, pasi jemi Partizani. Duhet të jemi dominues në aspektin teknik dhe të imponojë ritmin e lojës. Shpresoj të luhet futboll i hapur dhe i shpejte, të ketë nivel të lartë loje. Do fokusohem te loja jonë, duhet ta vendosim ne rezultatin”.

DËMTIMET – “Hadroj ka pasur probleme të vazhdueshme, për një dëmtim të para tre javëve. Edhe Skuka ka pasur një dëmtim me Dinamon, në shpatull, kur pretendoi për penallti. Sot do të vendosim, Hadroj rrezikon më shumë. Do flas edhe me stafin mjekësor që të vendos për të dy”.

FAVORIT NDAJ KUKËSIT – “Çdo ndeshje ka historinë e vet. Nesër duhet të jemi cinikë dhe konkretë. Të mos shohim sjelljen e kundërshtarit, por atë që bëjmë ne. Po nisëm të gjejmë justifikime, që kundërshtari është mirë apo keq, ose e mbivlerësojmë, ose e nënvlerësojmë. Kjo nuk i bën mirë skuadrës. Kemi shpërdoruar shumë deri tani. Është e vështirë kur nuk i konkretizon rastet për gol”.

GOLAT – “E stërvit ekipin në varësi të kundërshtarit dhe lojtarëve që kemi. Pasin e fundit e jep vetëm Kallaku, kur nuk kemi shumë hapësira. Skuka e ka të vështirë në zona të ngushta. Nuk është e lehtë, pasi është eksperienca e parë në Superiore. E kam futur Malën në qendër, për të krijuar hapësira dhe vertikalizime. Jam munduar t’i bëj këto manovra. Dinamo na e bëri të vështirë, u tërhoq mbrapa për të na kapur në kundërsulm. Ne e i patëm mundësitë tona ndaj tyre. Duhet të jemi më të qetë te goli. Duhet durim, nxitimi të çon në gabim”.

RËNDËSIA E DY NDESHJEVE – “E radhës është shumë e rëndësishme që të shkojmë te rezultati, jo vetëm përmes lojës. Duhet të jemi cinikë, agresivë. Kemi qenë imponues, por duhet të respektojmë shumë më tepër veten para portës”.

PRESIONI – “Partizani është një skuadër legjendare dhe do jete gjithmonë në presion. Fitorja është detyrim në çdo rast. Trajneri, klubi dhe lojtarët duhet ta kuptojnë se çfarë fanelle ka Partizani dhe të jenë të përgatitur ta përballojnë presionin dhe të shkojnë me mentalitet fituesi”, u shpreh Mehmeti. / oversport.tv

You may also like