Mehmeti: As trajnerët e tjerë s’kanë bërë diferencën, Partizani ka ndryshuar

by admin
Spread the love

Dritan Mehmeti, trajneri i Partizanit, para ndeshjes me Vllazninë në kampionat ka dalë para mediave dhe ka folur për shumë çështje. Sigurisht fokusi është te dueli me shkodranët, ndërkohë që Mehmeti preku shumë tema.

VLLAZNIA – “Normalisht është një ndeshje shumë e rëndësishme për të dyja skuadrat. Ata kanë një bonus emocional pasi na eliminuam nga Kupa e Shqipërisë. Ne do të bëjmë maksimumin që të japim gjithçka për gjithçka, pasi është një ndeshje që duhet interpretuar siç duhet, sidomos në aspektin mental.

E rëndësishme është që lojtarët të mos mendojnë se çfarë kanë bërë më përpara, por ta interpretojnë si duhet ndeshjen nesër. Duhet të bëjmë maksimumin të jemi të qetë në aspektin psikologjik. Duhet të menaxhojmë të gjitha situatat e ndeshjes. Në Kupë nuk i menaxhuam mirë 30 minutat e para. Mund të dyfishonim rezultatin”.

LOJA – “Sa i takon filozofisë së lojës, ne zhvillojmë manovër sulmuese. Edhe me statistika e prekim shumë zonën e kundërshtarit. Do kërkojmë të mos e ndryshojmë filozofinë e lojës, edhe pse jemi në presionin e rezultatit”.

GJENDJA PSIKOLOGJIKE – “Kemi pasur një shok psikologjik pas eliminimit nga Kupa. Lojtarët kanë besuar shumë te kualifikimi dhe kur vjen me penallti eliminimi, kur ne kishim disa mundësi për të dyfishuar në pjesën e parë, ndikon goxha. Një pjesë e tyre janë mjaft të rinj dhe e kanë të vështirë të ringrihen kaq shpejt në të tilla situata”.

MUNGESAT – “Kemi bërë 5 ndeshje në 18 ditë. Është e vështirë të menaxhohet në aspektin fizik. ME Rrapajn kemi pasur probleme, erdhi i dëmtuar nga U21. Kemi probleme me Albion Markun, i cili ka pasur mbingarkesë. Për një muaj ka bërë 8 ndeshje, është lojtar i rëndësishëm për ne. Kemi edhe Carën me probleme në kavilje. Edhe Junior po ashtu ka shfaqur probleme. Ngarkesat e mëdha dhe ndeshjet e ngjeshura na sjellin në këtë situatë. Kemi lojtarë të tjerë që mund t’i zëvendësojmë. Një skuadër futbolli duhet mbështetur te grupi, jo te individi”.

OBJEKTIVAT – “Kam menduar të bëj maksimumin, dihet si e kam marrë skuadrën, në çfarë momente. Kemi bërë mirë sa i takon lojës, kemi ndryshuar. Kemi fituar edhe lojtarë të rinj që mendoj se do i shërbejnë skuadrën për sezonin e ardhshëm. Me një kujdes të madh të merkatos, Partizani mendoj se duhet të rikthehet pretendenti më i fortë për titullin kampion. Sa i takon punës time, jam pjesë e klubit  dhe kam bërë maksimumin. Do bëjë më të mirën sa të jem pjesë e Partizanit. Sa i takon objektivit të klubit, synimi ka qenë titulli kampion. Çdo trajner e vlerëson rezultati”.

ZËRAT PËR PASUESIN – “Nuk ndikojnë aspak zërat. Në këto tre vite pas pasur te Partizani trajnerë me eksperiencë dhe nuk kanë bërë çfarë pritej. Çdo trajneri i ri, si unë, studion. Mundohem të informohem, jetoj me futbollin për të përmirësuar skuadrën. Kam bërë maksimumin dhe e kam përmirësuar. Edhe trajnerët që kanë qenë më parë nuk është se kanë bërë diferencën. Megjithatë jam munduan të bëj maksimumin. Jam i ri, por kam dhënë goxha për këtë klub. Zërat nuk më pengojnë të punoj fort. Nëse do isha në situatë tjetër, do merrja më shumë përgjegjësi. Nuk u shmangem atyre, trajneri i merr ato. Rezultatet tregojnë ndryshim pas janarit, si në lojë ashtu edhe në rezultate.

Nuk kemi pasur fatin në disa ndeshje, kemi humbur tre penallti, jemi eliminuar në gjysmëfinale të Kupës me penallti dhe deri tani kemi fituar lojtarë të rinj. Skuka e Masanga nuk e mendonin se do të bënin diferencën dhe për mua po e bëjnë. Kemi edhe shumë lojtarë të rinj. Partizani ka një bazë me elemente dhe me moshë mesatare të re. Po hedh baza të shëndosha për të ardhmen, E them sërish që duhet kujdes në merkaton e verës. Duhet 3-4 lojtarë dhe kjo skuadër është gati për titullin kampion”.

MARKU E KALLAKU – “Klubi po bën maksimumin për lojtarët e huazuar. Do ketë bisedë me klubin për të ardhmen e tyre. Kur ke një të huazuar duhet të analizosh çfarë ka bërë dhe a të shërben për të ardhmen. Skuadra duhet bazuar te lojtarët e vet”.

PAKËNAQËSI MES LOJTARËVE – “Nuk bazohem tek emisionet sportive. Ata shohin nga jashtë, çfarë ndodh brenda skuadrës është tjetër. Unë nuk kam asnjë problem, nuk kemi pasur asnjë problem disiplinor. Sa i takon aktivizimit, 11 luajnë. Ne përzgjedhim si staf. Kudo ka pakënaqësi. Ata që kanë duhet ta shfaqin në fushë, në stërvitje e të bëjnë diferencën.

Nuk kam pasur ndonjë bisedë me ndonjë lojtar. Çdo lojtar duhet ta kërkojë atë që mendon që është e drejtë. Ata që e kërkojnë jashtë nuk e justifikojnë punën. Futbolli luhet në fushë, duam lojtar me karakter dhe të luajë më i miri. Nuk mund t’i kënaqësh të gjithë sa i takon aktivizimit. Normalisht edhe gabohet, e bëjnë edhe trajnerë të mëdhenj”. / oversport.tv

You may also like