MEDIA – EANA pezullon agjencinë ruse të lajmeve TASS

by admin
Spread the love

TIRANE, 27 shkurt /ATSH/ – Në rrethanat e rregullores së re të medias të zbatuar nga qeveria ruse, Roskomnadzor, që po kufizon rëndë lirinë e medias, bordi i Aleancës Evropiane të Agjencive të Lajmeve EANA, ku Agjencia Telegrafike Shqiptare është anëtare me të drejta të plota, konsideron se agjencia ruse e lajmeve, TASS, anëtare e kësaj aleance, ndodhet në shkelje të qëllimit të EANA-s siç përcaktohet në Statutin e kësaj aleance, duke mos qenë në gjendje të japë lajme të paanshme, të cilat qëndrojnë në thelb të misionit të EANA-s.

Duke pasur parasysh këtë, si dhe kërkesën e anëtarëve për të përjashtuar TASS nga EANA, bordi, si organ ekzekutiv i aleancës, ka vendosur unanimisht të pezullojë menjëherë TASS-in nga EANA, derisa Asambleja e Përgjithshme të vendosë, sipas statutit, nëse TASS duhet të përjashtohet nga aleanca jonë.

EANA shërben si një forum për bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacionit mes agjencive evropiane të lajmeve.

Qëllimi i EANA-s është të ruajë dhe promovojë interesat e përbashkëta të anëtarëve të saj në të gjitha fushat thelbësore për punën dhe aktivitetet e tyre. Qëllimi tjetër i EANA-s është të sigurojë që agjencitë anëtare të lajmeve të mund të punojnë si ofrues të lajmeve të paanshme.

EANA mbështet parimet e lirisë së shtypit dhe do të përpiqet të lehtësojë që agjencitë anëtare të lajmeve të punojnë në përputhje me këto parime.

EANA aktualisht ka 32 anëtarë nga e gjithë Evropa./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like