MAROK – Blinken: Nuk është arritur asnjë progres i vërtetë në bisedimet e paqes Rusi-Ukrainë

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

RABAT, 29 mars /ATSH-DPA/- Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken deklaroi sot gjatë një vizite në Marok se nuk sheh ndonjë progres të mjaftueshëm në bisedimet e paqes të zhvilluara mes Rusisë dhe Ukrainës, ndërsa sulmet e Moskës ndaj fqinjit të saj vazhdojnë.

“Unë nuk kam parë ndonjë gjë që sugjeron se negociatat po avancojnë në mënyrë efektive, sepse nuk ka patur shenja të një serioziteti të vërtetë, të paktën nga ana e Rusisë, por nëse Ukraina ka arritur në përfundimin se ka patur progres, kjo është një gjë pozitive dhe ne e mbështesim atë”, tha Blinken.

Më herët, Rusia njoftoi se do të reduktonte ndjeshëm operacionet e saj luftarake në frontin verior pranë Kievit dhe Chernihiv, pas bisedimeve me negociatorët ukrainas në Stamboll.

Pas takimit, zëvendësministri rus i Mbrojtjes Alexander Fomin tha se Moska dëshiron të ndërtojë besimin dhe të mundësojë negociata të mëtejshme.

“Kjo është ajo çfarë thotë Rusia. Dhe ja çfarë bën Rusia. Ne jemi të fokusuar në këtë të fundit. Dhe ajo që Rusia po bën është brutalizimi i vazhdueshëm ndaj Ukrainës dhe popullit të saj”, tha Blinken.

“Nëse ata disi besojnë se një përpjekje për të “pushtuar” vetëm pjesën lindore të Ukrainës ose pjesën jugore të Ukrainës do të ketë sukses, atëherë, edhe një herë, ata po mashtrojnë thellësisht veten”, shtoi ai. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like