Maqedonia e Veriut dhe Türkiye shënojnë 30-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike

by admin
Spread the love

Me rastin e 26 gushtit, 30-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Maqedonisë së Veriut dhe Türkiye-s, të dy vendet kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët duke vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm midis dy vendeve, si dhe duke u zotuar se këto “marrëdhënie të bazuara në themele të fuqishme” do t’i thellojnë më tej, transmeton Anadolu Agency (AA).

Përmes deklaratës së përbashkët të lëshuar nga ministritë e Punëve të Jashtme të të dy vendeve, Maqedonia e Veriut dhe Türkiye theksojnë se lidhjet e thella historike, kulturore dhe njerëzore të popujve të të dy vendeve i bëjnë marrëdhëniet të jashtëzakonshme.

“Marrëdhëniet tona, të bazuara në themele të fuqishme, vazhdojnë të zhvillohen në të gjitha sferat. Do ta forcojmë bashkëpunimin tonë me mirëkuptimin që merr parasysh stabilitetin, prosperitetin dhe progresin e Ballkanit, pjesë e të cilit jemi edhe ne. Në periudhën e ardhshme do të vazhdojmë të kontribuojmë në zhvillimin e bashkëpunimit rajonal në sfera të tilla si tregtia, investimet, energjia, transporti, kultura dhe arsimi”, theksohet në deklaratën e përbashkët.

Në deklaratë thuhet se si aleatë në NATO do t’i forcojnë përpjekjet e tyre të përbashkëta për t’u përballur me sfidat e sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare dhe se të bashkëpunojmë kundër të gjitha formave të terrorizmit.

“Bashkësia turke në Maqedoninë e Veriut si një nga popujt shtet-formues të Maqedonisë së Veriut dhe qytetarët e Türkiye-s me origjinë nga Maqedonia e Veriut krijojnë një urë unike miqësie dhe bashkëpunimi. Do të vazhdojmë të përfitojmë nga projektet e përbashkëta në sfera të ndryshme dhe ta vlerësojmë lartë kontributin e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut dhe Türkiye-s që jetojnë në Türkiye, respektivisht në Maqedoninë e Veriut, në marrëdhëniet dypalëshe”, thuhet në deklaratë.

Më tej, theksohet se Maqedonia e Veriut dhe Türkiye e shohin të ardhmen e përbashkët të dy vendeve dhe të rajonit në Bashkimin Evropian (BE). Në këtë kontekst, në deklaratën e përbashkët mirëpritet mbajtja e Konferencës së parë Ndërqeveritare për fillimin e negociatave për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut.

“Jemi të vendosur t’i forcojmë marrëdhëniet e shkëlqyera midis Maqedonisë së Veriut dhe Türkiye-s dhe t’i avancojmë përmes një dimensioni të ri, në të mirë të dy popujve dhe partnerëve tanë”, theksohet në deklaratë.

Kujtojmë së Türkiye është ndër vendet e para që ka njohur pavarësinë e Maqedonisë së Veriut nën emrin e saj kushtues. Türkiye po ashtu është vendi i parë që dërgoi ambasadorin e saj në Shkup, pas shpalljes së pavarësisë së Maqedonisë së Veriut në vitin 1991 nga ish-Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë.

You may also like