Maqedoni e Veriut, aktive janë 5.539 raste me koronavirus

by admin
Spread the love

Në 24 orët e fundit janë regjistruar 82 raste të reja me KOVID-19, nga gjithsej 1.211 testime, është raportuar për 8 persona të vdekur dhe 265 pacientë të shëruar.
Nga 82 raste të reja në Shkup janë 61, Kavadar – 9, Gjevgjeli – 4, Manastir dhe Veles- nga 2, Prilep, Ohër, Negotinë dhe Vallandovë – nga 1.

Deri më tani në vend janë bërë gjithsej 1.503.941 teste për Kovid-19. Numri i përgjithshëm i personave të diagnostikuar me Kovid-19 në vendin tonë prej fillimit të epidemisë është 219.490, numri i pacientëve të shëruar është 206.211, i të vdekurve është 7.740, ndërsa numri i rasteve aktive është 5.539.

Sipas analizave epidemiologjike për momentin, më shumë raste aktive ka në Shkup– 2714, vijon Manastiri me 457, Prilepi – 336, Kavadari– 251, Ohri – 222. Në qytetet e tjera ky numër është nën 200, ndërsa në Dibër për momentin nuk ka asnjë rast aktiv. Në Dibër madje rritet interesi për popullatën më të moshuar për imunizim me dozën e tretë të vaksinës kundër Kovid-19.

Autoritetet në vazhdimësi apelojnë për vaksinim masiv, pasi siç theksojnë vetëm ashtu do të arrihet deri në një imunitet kolektiv dhe do të parandalohet përhapja e mutacioneve të koronavirusit.

Sipas të dhënave të fundit, deri tani 48 për qind e popullatës së rritur është imunizuar.

Në vend nuk është regjistruar asnjë rast i infektimit me omikron dhe ende është dominant varianti delta.

Të dhënat e ISHP-së tregojnë se në vitin 2020 janë regjistruar 83.734 raste të SARS- Kov-2 prej tyre 2 904 kanë vdekur (3.47 për qind). Në vitin 2021, deri më datë 7 dhjetor janë regjistruar 134 460 të infektuar, prej tyre 4 784 kanë vdekur (3.56 për qind).

Në botë deri tani janë infektuar mbi 270 milionë banorë, kanë vdekur 5.3 milionë persona dhe janë shëruar më shumë se 243 njerëz.

Dje OBSH doli me informacion se varianti Omikron i koronavirusit është konfirmuar në 63 vende të botës, duke precizuar se të dhënat janë të datës 9 dhjetor.

Sipas OBSH-së, lloji Omikron është më infektues se Delta dhe e zvogëlon efikasitetin e vaksinave, por shkakton simptoma më të buta siç tregojnë të dhënat fillestare.

Përhapje më e shpejtë e llojit Omikron është regjistruar në Afrikën e Jugut ku lloji Dellta është më pak i përhapur, por edhe në Mbretërinë e Bashkuar ku Delta është variant dominues.
Të dhënat e para tregojnë se vaksinat janë më pak efikase lidhur me infektimin dhe përhapjen e Omikronit, thekson OBSH.

Kryeministri britanik Boris Xhonson dje njoftoi se së paku një pacient në Mbretërinë e Bashkuar ndërroi jetë pasi që ishte infektuar me llojin omikron të koronavirusit.

Pasi që më 27 nëntor u konfirmuan konfirmuan rastet e para të omikronit në Britani të Madhe, Xhonson vendosi kufizime më të rrepta, ndërsa të dielën u bëri thirrje qytetarëve të marrin dozë shtesë të vaksinës në mënyrë që të mos ngarkohet sistemi shëndetësor.

Numri i të vdekurve nga Kovid-19 në SHBA ka arritur në 800.000, pasi vendi përgatitet për një valë të re të mundshme për shkak të më shumë tubimeve në ambiente të mbyllura gjatë muajve të dimrit dhe llojit tejet ngjitës Omikron.

Numri i vdekjeve nga koronavirusi në SHBA tani e tejkalon të gjithë popullsinë e Dakotës së Veriut. Edhe krahas disponueshmërisë së vaksinës, më shumë jetë u humbën këtë vit sesa në vitin 2020 për shkak të përhapjes së shpejtë të llojit Delta dhe refuzimit të miliona amerikanëve për t’u imunizuar. Që nga fillimi i këtij viti, më shumë se 450.000 njerëz në SHBA kanë vdekur nga infeksioni me Kovid-19, që është 57 për qind e numrit të përgjithshëm të vdekjeve nga koronavirusi që nga fillimi i pandemisë.

Këtë vit shumica e të vdekurve ishin të pavaksinuar, thanë ekspertët e shëndetësisë. Numri i të vdekurve është rritur pavarësisht përparimeve në trajtimin e pacientëve me Kovid-19 dhe trajtimeve të reja.

Në Greqi prej dje ka hyrë në fuqi ndalesa për hyrje në hapësira të mbyllura për personat mbi 60 vjet që nuk kanë marrë vaksinën e tretë, ndërsa kanë kaluar shtatë muaj nga vaksinimi dhe zvogëlim nga tre deri në gjashtë muaj nga vlefshmëria e vërtetimit që kanë kaluar Kovid-19, ku përveç grekëve vlejnë edhe për turistët që vizitojnë vendin.

You may also like