Manjati i qiellgërvishtësave që transformoi pamjen e New York e Londrës, vdes në moshën 93 vjeçare (fotot)

by admin
Spread the love

Një nga burrat përgjegjës për transformimin e qendrave financiare të SHBA dhe Evropës në ‘pyje’ ndërtesash super të larta, ka vdekur sot në moshën 93 vjeçare.

Manjati hebre i pronave të patundshme Albert Reichmann, së bashku me vëllanë Paul, drejtonin një nga korporatat më të fuqishme në botë të ndërtimeve, Olympia & York.

Së bashku ata kanë transformuar pamjen e disa nga qyteteve më të fëmshme në botë, duke përfshirë Londrën, New York e Toronto.

Vëllezërit Reichmann raportohet se ishin pyetur nga vete ish-kryeministrja Margaret Thatcher nëse mund të transformonin portin e vjetër të Londrës ‘Isle of Dogs’ në atë që është sot zona ekskluzive e Canary Wharf buzë lumit Tamiz, ku gjenden disa nga bankat më të mëdha në botë si Citigroup, Barclays, Credit Suisse e HSBC.

Në majën e karrierës së tyre vëllezërit Reichmanns zotëronin më shumë se $13 miliardë në vitin 1991 sipas revistës Forbes, kur u shpallën familja më e pasur në botë.

Por sipas raportimeve projektet e tyre të shumta ku u përfshinë, rënduan financat e Reichmann dhe në 1992 ata shpallën falimentimin.

Familja ishte me origjinë hebreje nga Hungaria, por shpejt u larguan drejt Austrisë, ku lindi dhe Albert në janar 1929, i katërti i pesë fëmijëve të Samuel e Renée Gestetner.

Babai i tij u bë i pasur sipas raportimeve duke ngrirë vezë, të cilat i shiste në dimër në të gjithë Evropën, shkruan rrjeti britanik Daily Mail.

Albert dhe vëllezërit e tij u rritën në një familje besimtare hebreje ku lexohej cdo ditë libri i Talmudit.

Me nisjen e luftës II botërore familja Reichmanns u larguan në Paris deri në pushtimin e tij nga Gjermania naziste, dhe më pas u larguan drejt Spanjës  e më pas në Marok.

Babai i Albert, Samuel merrej gjithashtu me fajde e këmbim valute, dhe pas përfundimit të luftës i biri punonte me të.

Por prej zemërimit anti-semit ndaj familjes ata u detyruan përsëri të largoheshin nga Maroku drejt Kanadasë, duke u vendosur në Toronto në 1959.

Në këtë kohë ata ngritën kompaninë e ndërtimit Olympia Floor & Wall Tiles në Montreal, me të cilën u bashkuan vëllezërit Paul e Ralph që gjendeshin në Toronto.

Në vitin 1964 kompanitë e tyre u bashkuan në atë të zhvillimit të pronave Olympia & York, dhe në vitet 1980-të ndërtuan kullat binjake në New York në një tokë të perftuar pranë lumit Hudson.

Vëllezërit nisën të blenin prona të shumta duke ngritur qiellgërvishtësa të lartë, e duke ndërtuar perandorinë e tyre të biznesit.

Më pas Albert la punën me pronat duke u kujdesur për transferimet e hebrenjve të botës drejt Izraelit, kryesisht ato nga ish-Bashkimi Sovjetik.

Ai lë pas djalin  Philip, i cili ndjek hapat e të atit në pronat e patundshme, ndërsa bashkëshortja Egoza vdiq në prill të këtij viti.