Mancini: Më kënaqën djemtë e rinj, Zaniolo të mësojë të luajë me shokët

by admin
Spread the love

Italia fitoi në miqësoren e djeshme kundër Turqisë dhe trajneri Roberto Mancini u shfaq i kënaqur me paraqitjen që bënë lojtarët e rinj të kombëtares. Cristante barazoi ndeshjen, kurse Raspadori realizoi më pas dy herë të tjera. Mancini pas ndeshjes për RAI Sport deklaroi:

“Ishte një ndeshje e pakuptimtë në aspektin e garës, por nëse luan, duhet ta bësh si duhet edhe në rrethana negative. Djemtë e rinj bënë një paraqitje të mirë dhe kjo më kënaq. Ishte bukur të shikoje si reaguan kur shkuam në disavantazh 1-0. Atmosfera ishte e zjarrtë, por ne u paraqitëm mirë dhe ishim gjakftohtë. Pastaj e morëm kontrollin e lojës pas 15 minutave të para”.

“Ishte hera e parë që shumë prej lojtarëve luanin me njëri-tjetrin, ndaj nuk ishte e lehtë. Këta janë lojtarë të rinj dhe duhet kohë. Më vjen mirë për paraqitjen që bënë. Edhe pse për fat të keq nuk ishim aty ku deshëm, reagimi i skuadrës ishte i fortë. Do të kemi keqardhje deri në dhjetor. Trajneri e merr gjithmonë fajin, duhet ta pranojmë që kështu është futbolli dhe njerëzit duan ta drejtojnë gishtin e fajit te dikush”.

“Zaniolo? Nicolo është një lojtar me cilësi, ai vetëm duhet të mësojë se si të luajë me të tjerët. Ai mund të shfrytëzojë maksimalisht forcën dhe cilësitë që ka për të shënuar gola pasi ta bëjë diçka të tillë. Nicolo u përpoq dhe nuk mund të ankohem, por ai u ndëshkua me karton dhe preferova ta nxirrja”.

“Tonali? Nuk është e lehtë për të, pasi nuk ka luajtur shumë ndeshje me ne. Te Milani ka një rol pak më ndryshe. U mundua në fillim, më pas gjeti pozicionin dhe u përmirësua. Ai ka nevojë për kohë”, përfundoi trajneri Roberto Mancini. / oversport.tv

Foto: Nazionale italiana, Twitter

You may also like