“Luftën” e fiton Guardiola, City në gjysmëfinale të Champions League

by admin
Spread the love

Me shumë vuajtje, Manchester City ia ka dalë të kualifikohet në gjysmëfinale të Champions League pasi u ndal në një barazim pa gola në “Wanda Metropolitano”. Mjaftoi goli i Kevin De Bruyne në ndeshjen e parë për t’i dhënë mundësinë “qytetarëve” të kalojnë në fazën tjetër, ku do të gjejnë përballë Real Madridin e Ancelottit.

Si Atletico ashtu edhe City e nisën qetë takimin për të studiuar më mirë edhe lëvizjet e kundërshtarit. Hapësirat sakaq mungonin për meritë edhe të dy ekipeve që e kishin përgatitur mjaft mirë këtë ndeshje. Atletico u përpoq të përfitonte me anë të ndonjë kundërsulmi të shpejtë, por në asnjë rast spanjollët nuk arritën dot të konkretizonin aksionet e nisura.

Nga ana tjetër, City u shfaq rrezikshëm ndërsa shansi i artë për “qytetarët” erdhi në minutën e 30-të. Ilkay Gundogan mori një pasim mjaft të mirë në brendësi të zonës, por goditja e tij u ndal nga shtylla. Edhe tentativat e tjera të Cityt u ndalën, me mbrojtësit e Simeones që u kthyen në mur, duke i mbyllur 45 minutat e para me rezultatin e bardhë 0-0.

Në pjesën e dytë, Atletico i dha më shumë ritëm lojës së saj duke shtuar edhe presionin ndaj Cityt. Shenjën e parë e dha Griezman që në minutën e parë, ndërkohë që ishte po sulmuesi francez që “qethi” shtyllën me një goditje nga distanca.

Edhe pjesën tjetër të takimit loja foli më shumë në favor të Atletico Madrid duke e mbajtur ekipin e Guardiolës në rrezik konstant. Simeone hodhi në fushë të gjithë “artilerinë” e sulmuesve dhe radha për të kërcënuar portën e Ederson i erdhi Carrascos, Correas, Cunhas e De Paul.

Ndeshja pati dhe shumë tension në minutat e fundit ku Felipe la me 10 lojtarë Atleticon pas një zënke me lojtarët e Cityt. Kjo nuk i pengoi ata të luftonin deri në sekondat e fundit, por Ederson u kthye në hero pë Cityn me pritjet e tij.

Megjithatë, edhe pse loja foli në favor të Atleticos, rezultati jo. Madrilenët nuk ia dolën dot të finalizonin në gol aksionet duke e mbyllur takimin me rrjeta të paprekura. Kështu falë golit të shënuar në shtëpi, City ia del të kualifikohet në gjysmëfinale, ku do të ketë përballë rekordmenët absolut të Real Madrid. /oversport.tv

Foto: UEFA Champions League, Twitter

You may also like