Luftë brezash, luftë kulturash, fiton klasikja…

by admin
Spread the love

Nga Mentor Nazarko

Është krejt e qartë se thuajse askush nga zërat publikë nuk mund t’ i shmanget komentimit të një ngjarje televizive si “Big Brother Vip” për shkak të audiencës gjigande të tij, si thoshte me të drejtë dhe kolegu Mustafa Nano. Kudo në hapësirën shqiptare shoumenët me statistika, mburren-diçka e trishtueshme- se emisionet e Kosovës dominojnë tregun kosovar dhe emisionet e Shqipërisë- tregun e saj, dorëzoheshin duke pranuar se ky format dominonte gjithë audiencën tonë kombëtare.

Ky është fakt i parë që meriton vëmendje. Formati që plazmoi thuajse njëjtë e përbashkueshëm preferencat e audiencës në botën shqiptare u kthye në një miniaturë të njëfarë shtëpie kombëtare me individë shqiptarë në kërkim të famës, shumëfishimit të saj, kontratave te reja, kapërcimit të dramave, dashurive të reja dhe forcimit të të vjetrave. Eksperimenti social i përbotshëm u kthye në eksperiment kombëtar të suksesshëm, falë superproduksionit të motrave Hoxha, trashëgimtaret e Dritanit gjenial që vërtetuan kështu mbase se dardhat rriten nën dardhë. Mekanizmi i çmimit të madh mbase e nxiti njëfarë bashkëjetese të mirë ndërshqiptare. Duke e ditur çfarë rrezikonin- 100 mijë euro, vlonjati emocional apo tetovarja idhnake, etj etj u përmbajtën nga sherre që në rrethana reale mund të ishin mbase dhe me duar, përveç se me gojë. Ndoshta mungesa e helmit të politikës, e lajmeve prej saj, mungesa e rrjeteve sociale për banorët, e lajmeve në përgjithësi, ishin faktorë shtesë që përcaktuan një bashkëjetesë të gjatë e pa konflikte. Lindi kësisoj njëfarë Shtëpie kombëtare e televizionit që vitin tjetër, për shkak të kulmeve të shikueshmërisë, mbase do të tërheqë si banorë, individë me cilësi edhe më të mirë profesionale, artistike apo njerëzore, ndërsa këta të sotmit, ishin kryesisht “vipa” të artit, apo të TV, të vërtetë a të rremë, të përmasave të diskutueshme që megjithatë u vetëfrenuan të shpërfaqnin krejt universin e cilësive të tyre. Ishin në lojë, dhe loja ka hipokrizi, madje dhe patetizëm: lot me shumicë si në Lëndinën e lotëve, dhe fjali stonuese si ajo e Ilirit: erdha të tregoj se kush jam përveç se artist… Shumë patetike për një individ si ai…

Këta heronj të shqiptarëve në 4 muaj, jetuan jetën me plot kufizime, duke shmangur efuzionet si në edicionet e shteteve të tjerë, apo në versionet jovip të këtyre formateve. Ndërkaq kompanitë celulare bënë biznes të mirë me televotimet masive dhe pavarësisht rivalitetit të tyre, preferencat për fituesit u kombëtarizuan; u miksuan territorialisht; mbi bazë gjinie, apo moshe… gjilanas që votonin për një vlonjat – a shijakase; etj etj; të rinj që votonin për të rinj, por dhe për burra të pjekur si Iliri, etj, etj. Mbase me këtë eksperiment kombëtar, të frymëzuar jo thjesht nga motive komerciale, merr njëfarë përgjigje dilema e dobët që shtrojnë disa mendimtarë të zëshëm, por të paktë në numër: a po ndahet trungu ynë kombëtar në dy trungje të ndryshëm- kombi shqiptar dhe kombi kosovar:) Shqiptarët tvdashës në shumicë, frymuan njëjtë.

Finalja, si metaforë e dy botëve që bashkëjetojnë në tension

Mirëpo mes momenteve të tjera që meritojnë vëmendje, finalja ishte më kulmori, për shkak të angazhimit të madh emocional, financiar, por dhe artistik. Një metaforë e bukur, dramatike, që sublimoi bashkëjetesën e dy brezav, ishte paralelja e sallave dhe kokteji diferencial ndjesor që u prodhua. Salla e Teatrit të Operas dhe baletit ishte salla e historisë; e lavdisë që reziston në dekada; e klasikes; e trashëgimisë së fuqishme të artit nga baba e nëna tek biri dhe atë e meritoi Iliri. Inva Mula me Valsin e lumturisë krijoi zinxhirin e artit që trashëgohet brez pas brezi, kërcyer nga një zonjë si Mukadesi që mbahet ende e tillë, me të birin, që shqiptar besnik i asaj shkolle klasike ruse, ka prodhuar talente të rinj italianë. Mëkat që nuk kishte spektatorë në sallë, ndërkohë që audienca kishte mbërritur pik-un dhe përzierja laramane e bandës që kishte hyrë në atë shtëpi të BBV, duke dalë sekuencialisht, e shijoi në këmbë dhe në lot. Përballë atij kokteji ndjesor askush nuk mund të rezistonte pa u përlotur, as rivali emotiv Donaldi, ndonëse kjo i jepte pikë Ilirit. Donaldit nga ana tjetër, i ishte rezervuar një sallë më e madhe, por që duhet ta meritojë, sepse ende nuk ka bërë diçka për ta merituar të gjithën, qoftë dhe binjakësisht me vëllain. Kokteji ndjesor fuqizohej nga zëri i Alban Skënderajt, këngëtari më klasik i më modernëve, dhe nëna e dy binjakëve, që nuk derdhi asnjë lot, por që ishte e fuqishme. Takimi me Beatrix që këndoi një hit anglisht? Lotët ishin harxhuar më parë, tek nëna e Ilirit, tek nëna e Donaldit. Për Trixën, puthje të përmbajtura dhe nga emocionet e forta, dhe grimi special.

Nisur nga çfarë ishte parë në 4 muaj e gjysmë, Iliri ngjante se dominoi, ashtu si dhe në fund: me stilin e bashkejetesës qoftë dhe me heroin e tallavasë Sabianin, lidershipin e butë; rregullat e pastërtisë shtëpiake dhe karakteriale që imponoi me shembullin e vet; shumësinë e arteve që prodhoi; me realizmin e historisë së tradhëtisë që prodhoi, apo dhe me suksesin e arritur në Itali që rrezatonte jashtë dhe bukur edhe nëpërmjet gruas së tij të hijshme. Donaldi mobilizoi të rinjtë anembanë botës shqiptare, me një makineri të fuqishme grupesh, rrjetesh sociale, profilesh, me figura publike nga sporti dhe muzika që ai din të prodhojë, me swing-un e damave që arriti të prodhonte ndoshta me inxhinieringun e produksionit, në një jetë shtëpiake që megjithatë ishte asketike nën kamera 24 orë. Askush nuk di të thotë se për kë votoi shumica në televotim, sepse në ajër ngjante se fitonte Donaldi, mirëpo, kur krahason produktet kulturore të të dyve, duket se rezultati ishte i drejtë. Fituesi do të shkojë në Isola dei famosi, e bashkë me të shkon dhe Top Channel, si logo që ndërkombëtarizohet. Iliri prodhoi kulturë jete që ndërkombëtarizohet, falë gjuhëve të huaja; rezistente kohës për shkak të universalitetit; inoksidimit të bukurisë njerëzore pavarësisht moshës; besnik i familjes së artit nga vinte. Madje me suksesin dhe çmimin, me gruan italiane që ka freskuar shqipen, duke vendosur të jetojë dhe ajo në Shqipëri, ai konfirmoi njëlloj vijimësie kulturore dhe jetësore që po konsolidohet midis dy brigjeve të Adriatikut. Donaldi ishte nëndialektal, ndonëse me labërishte të butë, emotiv, që s’kujdesej dot për higjienën e vet, duke bërë një humor që vështirësisht universalizohet pa ndërmjetës. Megjithatë ai shpërfaqi plot edukatë që vinte me gjasë prej zonjës që u shfaq në fund në Pallatin e Kongreseve, e të cilës i ishte blatuar çmimi, duke arritur të bashkëjetonte njerëzisht me një brez si ai i Ilirit. Mbase çmimi i lartë, ishte frenuesi më i madh i shpërthimeve emocionale, ndonëse pasionet ndrydheshin fuqishëm në një shtëpi ku pak lajme depërtonin, e megjithatë të gjithë i shihnin. Një duel, shenjë e kohës që jetojmë: kulturës së rrjeteve, tiktokut, instagramit, me kulturën që nuk vdes,klasikes, që kalon brez pas brezi.

The post Luftë brezash, luftë kulturash, fiton klasikja… appeared first on Konica.al.

You may also like