Lufta në Ukrainë ushqen prurjet e vullnetarëve në ushtrinë polake

by admin
Spread the love

Polonia planifikon të dyfishojë forcat e saj të armatosura, me deri në 300 mijë ushtarakë profesionistë dhe vullnetarë deri në vitin 2035.

Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Lesia Bakalets, sulmi frontal i Rusisë ndaj Ukrainës fqinje ka nxitur polakët nga të gjitha segmentet e shoqërisë që të dalin vullnetarë për të shërbyer në ushtri.

Profesorë, punonjës të mediave, sipërmarrës dhe studentë – njerëz nga fusha të ndryshme dalin vullnetarë për t’iu bashkuar Forcave të Mbrojtjes Territoriale Polake. Është dega e pestë dhe më e re e Forcave të Armatosura të Polonisë. Interesimi është shtuar së tepërmi që me fillimin e sulmit të Rusisë në Ukrainë.

“Lufta në Ukrainë na tregoi se forcat e tilla në Ukrainë luajtën një rol të madh. Pra përse të mos i futemi vetë jetës në ushtri?”, thotë Rreshtere Olga Krawczyk-Majeran.

Kolonel Lietnant Grzegorz Podolszansky, nënkomandant i Brigadës së 5-të, thotë janë shtuar nevojat për stërvitje.

“Kishim në plan të rekrutonim dhe të stërvisnim 800 ushtarë këtë vit. Por nga qershori, kur vullnetarët prisnin këtu në radhë jashtë mureve, dhe duke ditur njëkohësisht ç’po ndodhte përtej kufirit polak, numri i ushtarëve në stërvitje u rrit dhe objektivi është të kemi 1100 ushtarë të përgatitur këtë vit”, thotë ai.

Kriteret kryesore për t’u futur në njësitë e mbrojtjes territoriale janë mosha mbi 18 vjeç dhe shtetësia polake.

Sebastian Nikityuk është 19 vjeç dhe vendosi të kalojë pushimet e verës në stërvitje.

“Jam me pushime tani. Kam edhe një vit për të mbaruar shkollën. Kur të diplomohem, kam në plan të bëhem ushtar profesionist, me specializim në sigurinë kibernetike”, thotë ai.

Janë 80 rekrutë që po bëjnë testin përfundimtar pas 16 ditësh stërvitjeje bazë për Brigadën e 5-të. Testimi ka nëntë faza – që nga qitja me armë, dhënia e ndihmës së shpejtë dhe manovrat taktike.

Një tjetër rekrut, shoferi i kamionëve Kamil Strzalkowski, ka besim se do t’i kalojë të gjitha fazat.

“Fizikisht kjo stërvitje është e vështirë. Në veçanti nëse nuk je në formë. Mendoj se do t’ia dal mbanë megjithëse jam 35 vjeç tashmë”, thotë ai.

Asnjërit prej rekrutëve nuk iu desh të linte punën. Shërbimi në forcat e mbrojtjes territoriale u mundëson njerëzve të kombinojnë jetën civile me atë ushtarake. Atyre u jepte opsioni të bëhen ushtarë me kohë të plotë, ose të pjesshme.

“Një fundjavë në muaj duhet të vijnë tek njësia e tyre dhe të stërviten. Por gjatë pjesës tjetër të kohës, mund të vazhdojnë jetën e tyre civile siç dëshirojnë. Dhe duhet të jemi gjithnjë gati në rast se na thërrasin në shërbim aktiv”, thotë Rreshtere Olga.

Ajo jeton kështu. Gjatë katër viteve të fundit ka kombinuar detyrat e saj në ushtri me punën në televizion. Ajo thotë se futja në forcat e mbrojtjes territoriale ishte vendimi i saj më i mirë, duke patur parasysh situatën në kufirin Poloni – Bjellorusi dhe luftën në Ukrainë.

“Ndjehem gati, ndjehem e përgatitur. Kam përvojën ushtarake që më bën të ndjehem më e sigurtë. Është e rëndësishme për mua për të përballuar situatën e tanishme”, thotë ajo.

Momentalisht këtu shërbejnë 37 mijë ushtarë. 90% e tyre janë me kohë të pjesshme. Zyrtarët thonë se objektivi është që ky numër të arrijë në 50 mijë gjatë viteve në vazhdim. Në total, Polonia synon të dyfishojë forcat e saj të armatosura, duke arritur në 300 mijë ushtarakë deri në vitin 2035./VOA


Top Channel

You may also like