Lufta në Ukrainë: A do të shtypë Putini butonin bërthamor?

by admin
Spread the love

Më lejoni të filloj me një pranim. Shumë herë kam menduar: “Putini nuk do ta bënte kurrë këtë.” Pastaj ai e bëri.

“Ai nuk do ta aneksonte kurrë Krimenë, me siguri?” Ai e bëri.

“Ai nuk do të fillonte kurrë një luftë në Donbas.” Ai e bëri.

“Ai kurrë nuk do ta fillonte një pushtim të plotë të Ukrainës.” Ai po e bën.

Kam arritur në përfundimin se shprehja “nuk do ta bëja kurrë” nuk vlen për Vladimir Putinin.

Dhe kjo ngre një pyetje të pakëndshme:

“Ai kurrë nuk do ta shtypte butonin bërthamor. A do ta bëj ai?”

Nuk është një pyetje teorike. Udhëheqësi rus sapo ka vënë forcat bërthamore të vendit të tij në gatishmëri “speciale”, duke u ankuar për “deklarata agresive” mbi Ukrainën nga liderët e NATO-s.

Dëgjoni me vëmendje atë që ka thënë presidenti Putin. Të enjten e kaluar kur ai njoftoi në televizion “operacionin e tij special ushtarak” (në realitet, një pushtim në shkallë të plotë të Ukrainës), ai dha një paralajmërim rrëqethës:

“Për këdo që do ta konsideronte një ndërhyrje nga jashtë – nëse e bëni, do të përballeni me pasoja më të mëdha se që jeni përballur ndonjëherë në histori.”

“Fjalët e Putinit tingëllojnë si një kërcënim i drejtpërdrejtë i luftës bërthamore”, beson laureati i Çmimit Nobel për Paqe, Dmitry Muratov, kryeredaktor i gazetës “Novaya Gazeta”.

“Në atë fjalim televiziv, Putini nuk po sillej si mjeshtri i Kremlinit, por si mjeshtër i planetit; Ai ka thënë shumë herë: nëse nuk ka Rusi, pse na duhet planeti atëherë? Askush nuk i kushtoi vëmendje kësaj fjalie. Por ky është një kërcënim që nëse Rusia nuk trajtohet siç do ai, atëherë gjithçka do të shkatërrohet.”

Në një dokumentar të vitit 2018, presidenti Putin komentoi se “…nëse dikush vendos ta asgjësojë Rusinë, ne kemi të drejtën ligjore të përgjigjemi. Po, do të jetë një katastrofë për njerëzimin dhe për botën. Por unë jam një qytetar i Rusisë dhe si udhëheqësi i shtetit. Pse na duhet një botë pa Rusinë në të?”

Të kthehemi shpejt në vitin 2022. Putini ka nisur një luftë kundër Ukrainës, por forcat e armatosura ukrainase po bëjnë rezistencë të ashpër; Vendet perëndimore – për habinë e Kremlinit – janë bërë bashkë për të vendosur sanksione ekonomike dhe financiare kundër Moskës. Vetë ekzistenca e sistemit të Putinit mund të jetë vënë në dyshim.

“Putini është në një situatë të vështirë”, beson analisti i mbrojtjes me bazë në Moskë, Pavel Felgenhauer. “Atij nuk i kanë mbetur shumë opsione, sapo Perëndimi t’i ngrijë asetet e Bankës Qendrore ruse dhe sistemi financiar i Rusisë të shpërthejë. Kjo do ta bëjë sistemin të pafuqishëm.

“Një opsion për të është t’i reduktojë furnizimet me gaz në Evropë, duke shpresuar se kjo do t’i bëjë evropianët të zbrapsen. Një opsion tjetër është ta shpërthejë një armë bërthamore diku mbi Detin e Veriut midis Britanisë dhe Danimarkës dhe ta shohim se çfarë do të ndodhë.”

Nëse Vladimir Putin do ta zgjidhte një opsion bërthamor, a do të përpiqej dikush në rrethin e tij të ngushtë t’ia ndryshonte mendjen atij për mos ta bërë një gjë të tillë? Apo ta ndalojë?

“Elitat politike të Rusisë nuk janë kurrë me njerëzit”, thotë laureati i Nobelit Dmitry Muratov. Ata gjithmonë marrin anën e sundimtarit”.

Dhe në Rusinë e Vladimir Putinit, sundimtari është i plotfuqishëm. Ky është një vend me pak kontrolle dhe ekuilibra, është Kremlini ai që i vendos.

“Askush nuk është gati t’i rezistojë Putinit”, thotë Pavel Felgenhauer. “Ne jemi në një vend të rrezikshëm.”

Lufta në Ukrainë është lufta e Vladimir Putinit. Nëse udhëheqësi i Kremlinit i arrin qëllimet e tij ushtarake, e ardhmja e Ukrainës si një komb sovran do të jetë në dyshim. Nëse ai perceptohet se po dështon dhe pëson viktima, frika është se mund ta shtyjë Kremlinin të marrë masa më të dëshpëruara.

Sidomos nëse fjala “nuk do të bëja kurrë” nuk vlen më./BBC/

Rruga Press

You may also like