Lufta drejt kufijve të përshkallëzimit

by admin
Spread the love

Gjergji Kajana

Në 24 shkurt Rusia sulmoi Ukrainën duke menduar se do të zbatonte një plan maksimalist: pushtim i krejt vendit ose, të paktën, i Kievit, skenar ky i fundit që mund të paralizonte shtetin ukrainas. Rusët parashutuan njësite elite në aeroportin e Hostomelit pranë kryeqytetit por ukrainasit, të paralajmëruar nga SHBA, i neutralizuan dhe Kievi, megjithëse i shpërfytyruar nga bombardimet, mbeti e mbetet i lirë. Marrja e Kievit (për momentin braktisur) përbën Planin A të Moskës. Luftërat në terren teknikisht konsistojnë në dy operacione të veçanta: njëra në veri të Ukrainës, dje me epiqendër Kievin e sot Karkivin; tjetra në jug, që ka si fytyrë tragjike Mariupolin e shkatërruar dhe objektiva të shpallur pushtimin rus të krejt Donbasit e gjithë zonës bregdetare ukrainase deri në kufijtë me Rumaninë e Moldavinë.

Përveçse do ta sillte materialisht luftën në kufijtë e NATO-s (ku bën pjesë Rumania), ky skenar do ta privonte Ukrainën nga çdo dalje në det. Ky është Plani B, materialisht më i mundshëm për zbatim. Në qëllimet e presidentit rus Kievi kështu do të dobësohej rrezikshëm, duke rrezikuar kapitullimin. Ky skenar do të ndihmohej nëse Ukraina Jugore bregdetare do të sulmohej në drejtim të portit të Odesës edhe nga territori i Moldavisë, që ka brenda vetes rajonin separatist filorus të Transnistrias, ku banojnë rusishtfolës. Në deklarata publike si aleati i Putinit Lukashenko (presidenti i Bjellorusisë), si drejtues ushtarakë e politikë rusë e filorusë kanë përmendur në qëllimet e konfliktit shtrirjen e tij në këtë rajon.

Modavia nuk ndihet e sigurt dhe duhet të studiojë precedentët e ndërhyrjeve ruse në Gjeorgji (2008) e dy herë në Ukrainë (2014 e sot), zhvilluar në “mbrojtje” të rusishtfolësve të kërcënuar. Duke qenë se nuk bën pjesë në NATO, Kishinjevi nuk gëzon garanci ushtarake perëndimore dhe mbrojtja eventuale e tij vendos Perëndimin përballë dilemës së fortë: A duhet ndërhyrë drejtpërsëdrejti në konflikt me sulme të drejtpërdrejta rusëve?

Qëndrimet politike të orientuara nga Uashingtoni tregojnë se aktualisht Kishinjevi nuk gëzon asnjë shans të mbrohet më tepër sesa Kievi në 24 shkurt, madje raporti i pabarabartë i forcave ndaj Moskës e kthen në objektiv teorikisht ndjellës për t’u pushtuar. Perëndimi aktualisht nuk e konsideron publikisht përfshirjen në asnjë luftë tjetër veç asaj ekonomike me Moskën dhe nuk ka nisur përgatitjen e opinionit publik për këtë opsion.

Dilema perëndimore e mosndërhyrjes zyrtare në terren rezulton e tejkaluar prej faktit se Ukraina po furnizohet ndjeshëm gjithnjë e më tepër me armë nga NATO, me arsyetimin e ndihmës ndërkombëtarisht të detyruar për vende që pësojnë një agresion. Kërcënimi bërthamor i Putinit është kualifikuar serioz e i besueshëm nga CIA, por dorëzimi i Ukrainës nuk përbën opsion për Perëndimin sepse do të ishte ftesa më e mirë për agresione të mëtejshme, përfshirë vende të NATO-s (si tre republikat balltike Lituani, Letoni, Estoni) ku jetojnë popullsi rusishtfolëse. Shtimi i furnizimeve perëndimore mund të rrisë rrezikun e raprezaljeve ruse ndaj vendeve nga ku armatimet nisen (Polonia, Rumania) por për Perëndimin dy muaj luftë e krime lufte të qarta janë mjaftueshëm për t’u bindur se Rusia mund të ndalet vetëm ushtarakisht në terren dhe jo me sanksione apo diplomaci.

SHBA janë vendi perëndimor më i qartë në strategjinë e luftës: duke qenë se nuk kanë asnjë lloj varësie ekonomike me Moskën (siç e ka BE për energjinë) e as vazhdimësi territoriale tokësore me të, të ndërgjegjshëm se Pekini (rivali i tyre strategjik) vëzhgon Kievin për të kuptuar sesi mund të rimarrë “Ukrainën” e vet, Tajvanin, synojnë ta dobësojnë Rusinë në luftë derisa minimalisht të heqë dorë nga ky e agresione të tjera dhe maksimalisht të provokojnë një ndryshim regjimi. “De facto” presidenti ukrainas Zelensky bashkëndan këto objektiva dhe dialektikisht pohon atë që Uashingtoni diplomatikisht hesht: Putin synimin ndryshimin në favor të Rusisë të hartës së Evropës Lindore e Qendrore dhe Ukraina përfaqëson vetëm të parën e shumë dominove territoriale që Moska dëshiron të rrëzojë në ish-zonën e Paktit të Varshavës apo Perandorisë cariste.

Zhvillimet në marrëdhëniet Rusi -NATO prej 2007-s (kur, pas fjalimit antiamerikan të Putinit në Konferencën e Sigurisë në Mynih, u sulmua kibernetikisht Estonia) paraqesin tablonë e një Moske që kërkon të ndryshojë “manu militari” sigurinë e Evropës Lindore në favorin e vet duke zmbrapsur Aleancën, përveçse të rrëzojë globalisht gjithë arkitekturën ndërkombëtare post-1945 bazuar tek ekzistenca e OKB-së si forumi multilateral i diskutimit të zgjidhjes së konflikteve. Me sulmin e 24 shkurtit 2022 Putin tejkaloi Hrushovin gjatë krizës së Kubës në 1962-shin në sfidën Amerikës sepse nuk tregoi asnjë vullnet për ta zgjidhur çështjen ukrainase përtej kërkesave maksimaliste të pandryshuara: njohje e sovranitetit rus mbi Krimenë (“de facto” i pranuar nga Perëndimi) e “pavarësisë” së Donbasit, neutralitet e demilitarizim i Ukrainës (e cila, duke pasur përballë fuqinë e fqinjit lindor, kërkon garanci të forta në këtë pikë të diskutueshme). Në thelb, Zelensky e Perëndimi (sponsor i tij) do të pranonin negociata vetëm në dy pikat e fundit ndërsa Putin i quan ato si akti i materializmit të synimeve të tij, qëndrime që publikisht i pohoi së fundmi në takimin e 26 prillit me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së Guterres.

Nëse Rusia realizon fillimisht planin B (pushtim i Donbasit e Jugut ukrainas deri në kufirin rumun e potencialisht në Transnistria, me brenda skenarin e Odesës shkatërruar nesër si Mariupoli sot) rrit në letër mundësinë e realizimit të planit A (marrja e Kievit) nëse armët perëndimore nuk do ta ndalin shpejt.

Një shtrirje e luftës edhe në Moldavi në qëllimet e presidentit rus mund të shërbejë si diversiv ndaj ndihmës perëndimore Kievit ose si afrim i pretekstit të kërkuar për ta shtrirë luftën në territorin e NATO-s nëse Aleanca do të angazhohej në mbrojtje të Kishinjevit me metodat që mbron sot Kievin. Edhe pse Ukraina ka treguar një shpirt qëndrese të paepur – në vazhdën e asaj në sheshe për vlerat perëndimore në 2004-n e 2013-2014-n – nuk zotëron burimet njerëzore e ushtarake të Rusisë, ku për momentin është iluzion të besohet se mund të zhvillohen revolta ose manovra pallati ndaj presidentit. Me afrimin material të ushtrisë ruse në kufirin e NATO-s (testuar me bombardimet në Lviv në Ukrainën Perëndimore) rreziqet e përshkallëzimit të luftës ukrainase kalojnë pikën kritike. Perëndimi ka vetëm një opsion për ta përmbajtur: “armë, armë, armë” (e stërvitje) Kievit aktualisht për të mos u detyruar t’i përdorë ato vetë në një të nesërme më pak të largët.

You may also like