Lipjanasi vodhi 5 metra dru, dënohet nga Gjykata

by admin
Spread the love

G.Sh është dënuar me 400 euro gjobë dhe është obliguar t’ia kthejë shtetit 765 euro pasi ka pranuar se ka vjedhur 5 metra dru.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Shabani është shpallur të premten në Gjykatën Themelore të Prishtinës, dega Lipjan, nga gjykatësi Selman Salihi pa praninë e të akuzuarit.

Gjykata të njëjtit përmes aktgjykimit e ka detyruar që në emër të dëmit të shkaktuar të dëmtuarës Drejtorisë për Bujqësi dhe Pylltari t’ia paguajë shumën prej 765 euro.

Ndryshe, i akuzuari G.Sh e ka pranuar fajësinë gjatë shqyrtimit fillestar, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja e shtetit Fatmire Cacaj , raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas këtij aktgjykimi, dënimi i shqiptuar ndaj të akuzuarit Shabani do të ekzekutohet në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë.

Po ashtu, obligohet i akuzuari që në emër të shpenzimeve të paushallit gjyqësor t’i paguajë kësaj gjykate shumën prej 20 euro si dhe shumën prej 30 euro në Fondin e Viktimave të Krimit.

Gjatë deklaratës së tij, i akuzuari Shabani ka thënë se, ndihet i penduar dhe se pranimin e fajësisë po e bënë me vullnetin e tij, pa presion dhe i bindur për pasojat e pranimit të fajësisë.

I njëjti nuk e kundërshtoi aktakuzën, duke thënë se, më nuk do ta përsërisë veprën penale.

Me pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit është pajtuar prokurorja Cacaj dhe më pas si i tillë është aprovuar edhe nga gjykatësi Selman Salihi.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 28 tetor 2019, më 21 korrik 2019, rreth orës 18:08, në vendin e quajtur “Reka e Hanrovcit të Ura” regjioni Ekonomiko pyjor në Hankovc, Komuna e Lipjanit , i pandehuri G.Sh me qëllim që me përvetësimin e sendeve të huaja të luajtshme vetit t’i sjell përfitim pasuror të kundërligjshëm, ka prerë drunjë panjë, bli dhe shkozë me vëllim të përgjithshëm 5m3 .

Sipas aktakuzës, G.Sh është zënë duke i prerë drunjët e lartëcekur nga roja e pyllit, me ç’rast të dëmtuarës Drejtorisë për Bujqësi dhe Pylltari sektori i pylltarisë i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 765 euro.

Me këtë ka kryer veprën penale “Vjedhja e pyllit” nga neni 349 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

You may also like