Limani luajti më shumë se 60 minuta me dorë të thyer ndaj Prishtinës

by admin
Spread the love

Një kapiten asnjëherë nuk i lë në baltë shokët e skuadrës pa marrë parasysh situatën në të cilën ndodhet dhe kështu ndodhi edhe të dielën me kapitenin e Dritës, Ardian Limanin.

Numri pesë i gjilanasve është lojtari kryesor këtë edicion i Dritës, teksa bëri ndeshje të madhe edhe ndaj Prishtinës në fundjavë.

Kapiteni i Dritës pati një duel me mbrojtësin vendas Atanda, ku e kishte thyer dorën, por që ka vazhduar ndeshjen.

Në minutën e 32-të Limani theu dorën në duel me Atandan, por duke parë rëndësinë e madhe të ndeshjes ai vazhdoi të luante deri në fund të takimit.

Futbollisti gjilanas e ka konfirmuar se tani ka dorën në gips dhe pritet të futet në operim.

Limani do të jetë mungesa e madhe e Dritës këtë fundjavë në ndeshjen ndaj Ulpianës.

“Gjatë duelit me Atandan kam thyer dorën, mirëpo kam vendosur të luaj pasi mjekët intervenuan në fushë, duke parë edhe rëndësinë e ndeshjes”.

“Tani kam kryer kontrollet dhe sipas të gjitha gjasave duhet t’i nënshtrohem operimit”, ka thënë Limani për Olle.

Kujtojmë që Limani është duke kaluar nëpër një formë fantastike dhe pa dyshim është lojtari më i rëndësishëm i Dritës ndër vite.

Drita do të pres Ulpianën në duelin e fundit të stinorit vjeshtor në Superligë.

You may also like