“Ligj i plotë për hapjen e dosjeve”, Enkelejd Alibeaj: PD e vendosur me sytë nga e ardhmja, jo peng e të shkuarës komuniste

by admin
Spread the love

Enkelejd Alibeaj, kreu i grupit parlamentar të PD në Kuvend, shkruan sot në ditën e viktimave të regjimeve totalitare, duke theksuar se forca politike ku ai aderon është e angazhuar për të hartuar një ligj të plotë për lustracionin dhe hapjen e plotë të dosjeve.

“Partia Demokratike, është e angazhuar maksimalisht për të hartuar një ligj të plotë për lustracionin, hapjen e plotë të dosjeve, ndalimin e simboleve komuniste dhe kthimin e burgut të Spaçit e kampin e Tepelenës në muze të kujtesës kolektive”, shkruan ai.

Më tej, Alibeaj thotë se edhe pse pas 30 vjetësh PD ndodhet para së njëjtës sfidë apo aktorëve politikë, kjo forcë politike është e vendosur për të parë nga e ardhmja pa mbetur peng i së shkuarës komuniste.

Shënimi i plotë i Enkelejd Alibeaj:

“Kampi famëkeq i Tepelenës është vetëm një nga dëshmitë e asaj që përjetuan shqiptarët për gati gjysëm shekulli nën diktatutën e egër komuniste. Në këtë kamp burra, gra por edhe fëmijë u dhunuan e u masakruan, u vranë dhe u zhdukën në një akt nga më barbarët e kohës.

Dhimbja e torturave çnjerëzore në këtë kamp dhe pasojat që ai la mbi jetët e atyre që i mbijetuan, mbetet edhe sot motiv i fortë për të vijuar të gjitha përpjekjet që kjo e shkuar e hidhur të mos hidhet në koshin e harresës. Ajo duhet të shërbeje si motiv për të vijuar betejën që e ardhmja që ndërtojmë të ketë në themel të vërtetën, faktet, dhimbjen dhe vuajtjet por dhe dinjitetin njerëzor të nëpërkëmbur nga regjimi enverist.

Pa u thelluar në të shkuarën diktatoriale, pa nxjerrë mësimet e duhura prej saj do e kemi të pamundur të ndërtojmë një të ardhme me themele të shëndosha.

Partia Demokratike, është e angazhuar maksimalisht për të hartuar një ligj të plotë për lustracionin, hapjen e plotë të dosjeve, ndalimin e simboleve komuniste dhe kthimin e burgut të Spaçit e kampin e Tepelenës në muze të kujtesës kolektive.

Këto nisma, përbëjnë një korpus fillestar me themele për dekomunistizimin, të cilit do t’i qëndrojmë gjer në fund.

Është fatkeqësi që sot, pas 30 vitesh jemi endemi në procesin e stërzgjatur të tranzicionit. Ku padyshim një nga elementët që na mban peng në këtë qerthull është dhe paqartësia apo paaftësia për të parë ne sy dhe për t’u përballur me të shkuarën. Edhe pse pas 30 vitesh PD ndodhet para së njëjtës sfidë apo aktorë politikë, jemi të vendosur për të parë nga e ardhmja pa mbetur peng i së shkuarës komuniste. Dhe kjo mund të ndodhë vetëm nëpërmjet një procesi transparence të plotë, pa hakmarrje primitive apo politike por vetëm duke patur në themel vendosmërinë për rikthimin e dinjitetit mijra shqiptarëve që vuajtën nën diktaturë.

Këtë sfidë mundet dhe do ta çojë deri në fitore vetëm Partia Demokratike.” tha ai.

You may also like