Lajm i mirë vjen nga qeveria e re gjermane për Shqipërinë, propozohet hapja e kapitujve të parë të negociatave me BE

by admin
Spread the love

Marrëveshja e koalicionit e tre partive gjermane që do të formojnë qeverinë e re federale mbështet integrimin evropian të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Marrëveshja propozon hapjen e kapitujve të parë të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, liberalizimin e vizave për Kosovën dhe vazhdimin e negociatave me Malin e Zi dhe Serbinë.

“Ne mbështesim integrimin evropian të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe reformat e nevojshme për të përmbushur të gjitha kriteret e Kopenhagës”, thuhet në dokument.

Në këtë kuadër do të forcohet edhe shoqëria civile, shtohet më tej.

Mbështetet gjithashtu dialogu Beograd-Prishtinë i zhvilluar nën kujdesin e BE-së, si dhe përpjekjet për të ruajtur paqen afatgjatë në BiH bazuar në ruajtjen e integritetit territorial dhe kapërcimin e dallimeve etnike.

Thuhet po ashtu se paralelisht me negociatat e anëtarësimit, duhet të përmirësohet kapaciteti i BE-së për të pranuar anëtarë të rinj.

Sot, socialdemokratët, liberalët dhe të gjelbërt prezantojnë marrëveshjen e tyre të koalicionit. Kancelar i ri i Gjermanisë do të jetë kreu i socialdemokratëve, Olaf Scholz, ndërsa Ministria e Jashtme, e cila përfshin edhe portofolin e Çështjeve Evropiane, pritet t’i kalojë të Gjelbërve.

You may also like