Laçi vuan shumë përballë Egnatias, kualifikohet pas “ruletës” së penalltive

by admin
Spread the love

Laçi vuan shumë, por në fund arrin që të sigurojë një vend mes 4 skuadrave gjysmëfinaliste të Kupës së Shqipërisë, pas “ruletës” së penalltive.

Kurbinasit kanë dominuar të gjithë takimin, por nuk kanë arritur të shënojnë gol në portën e Egnatias gjatë 90 minutave të kohës së rregullt. Porta e rrogozhinasve mbetet e paprekur edhe pas 30 minutave shtesë dhe duhet të gjuhen penalltitë që të përfundojë kjo sfidë. Lojtarët e Laçit tregohen më të saktë nga pika e bardhë dhe çojnë skuadrën në gjysmëfinale.

Pas barazimit 1-1 në Rrogozhinë, Laçi kërkon që të shfrytëzojë faktorin fushë që të sigurojë një vend në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë.

Kurbinasit nisin lojën vrullshëm dhe shfaqen rrezikshëm në portën e Egnatias me Zulfiun (2 raste) dhe Qaton, por portieri Puja tregohet në lartësinë e duhur. Ndonëse Laçi dominon, pjesa e parë mbyllet në barazim pa gola.

Vendasit dominojnë edhe në pjesën e dytë, por goli i avantazhit nuk po vjen. Laçi rrezikon me Deliun, por është sërish Puja ai që i mohon golin skuadrës kurbinase. Agberkpornu largohet me karton të kuq dhe Egnatia detyrohet të luajë 15 minutat e fundit të takimin me 10 lojtarë.

Pavarësisht përpjekjeve të Laçit rezultati i sfidës nuk ndryshon. Sipas rregullores së re, nuk vlejnë golat në fushën kundërshtare dhe për të mësuar emrin e skuadrës gjysmëfinaliste do të luhet koha shtesë.

Dominimi i Laçit është i dukshëm edhe në 30 minutat e kohës shtesë, por sërish vendasit nuk arrijnë që të gjejnë rrugën e rrjetës. Janë penalltitë ato që do të përcaktojnë se cila skuadër do të kualifikohet në gjysmëfinale.

Nga pika e bardhë kurbinasit tregohen më të saktë dhe arrijnë që të kualifikohen në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë. / Oversport.tv

Kupa e Shqipërisë – Çerekfinale

Laçi-Egnatia 0-0 (1-1) (3-2 pas penalltive)

You may also like