Kurti ndërmerr “lëvizjen e papritur”, ç’do thonë ndërkombëtarët? – Shqip

by admin
Spread the love

Qeveria e Kosovës themeloi Institutin për Krimet e kryera gjatë Luftës në Kosovë dhe emëroi Atdhe Hetemin drejtor ekzekutiv.

Kryeministri Kurti tha se vazhdon përkushtimi institucional për zbardhjen e të gjitha krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Ai ka theksuar se Instituti do të merret me krimet e Serbisë në Kosovë gjatë viteve 1998-99 dhe se Serbia nuk mund të amnistohet për krimet që ka bërë.

“Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për të vërtetën, të drejtën për dije dhe drejtësi, si parakusht për paqe të qëndrueshme. Vazhdon vendosmëria jonë institucionale për zbardhjen e të gjitha krimeve të kryera gjatë luftës”, tha Kurti.

Ai theksoi se është i nevojshëm një mekanizëm shtetëror për ballafaqimin me të kaluarën dhe procesin e shërimit.

Ai tha se plagët janë ende të freskëta dhe të hapura për mijëra anëtarë të familjeve të më shumë se 1600 personave që janë ende të zhdukur gjatë luftës.

“I japim përparësi fatit dhe vendndodhjes së të zhdukurve. Gjatë këtij viti janë kryer gërmime vlerësuese në 11 lokacione, pesë prej të cilave kanë rezultuar me gjetjen dhe zhvarrosjen e së paku gjashtë viktimave të luftës, duke mos përfshirë gjetjet e fundit në Bishtazhinë, Gjakovë dhe Prizren”, tha Kurti.

Ai shtoi se sfida kryesore për zbardhjen e fatit të të pagjeturve është mungesa e informacionit të besueshëm dhe refuzimi i bashkëpunimit nga Serbia, e cila vazhdon të qëndrojë mbi varrezat masive duke i mohuar ato.

Kurti kujtoi gjithashtu se paraprakisht është themeluar Komisioni Shtetëror për Hulumtim dhe Dokumentim të Trashëgimisë Kulturore të shkatërruar gjatë luftës së viteve 1998-99, si dhe është nisur një projekt për shënimin e kujtimit të fëmijëve të vrarë të cilët janë zhdukur apo kanë humbur jetën në kushte lufte.

“Si përgjigje ndaj mosndëshkimit për krimet e luftës në Kosovë, ne kemi hequr pengesat ligjore për gjykimin e kriminelëve të luftës në mungesë. Me ndryshimet që kemi bërë në legjislacionin përkatës, institucionet tona të drejtësisë mund të ndjekin penalisht dhe dënojnë autorët e krimeve të luftës në mungesë, kudo që ndodhen”, tha Kurti.

Sipas tij, krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidi nuk i përkasin të shkuarës dhe Serbia duhet të mbajë përgjegjësi për krimet e bëra gjatë luftës në Kosovë.

Në këtë kuadër, ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu tha pas seancës së Qeverisë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, janë angazhuar për padi kundër Serbisë për gjenocid.

“Sa i përket padisë për gjenocid është në programin e qeverisë, në këtë drejtim janë të angazhuar Kurti, Osmani dhe Konjufca, për shkak të ndjeshmërisë së çështjes nuk mund të japim detaje, por ju siguroj se po merremi me këtë çështje”, tha ajo.

Tashmë pritet se si do reagojë Serbia, por më shumë akoma si do reagojnë ndërkombëtarët me këtë lëvizje të Kurtit. /tesheshi.com/

 

/

You may also like