Kurti bën homazhe te varret e Fan Nolit dhe Faik Konicës

by admin
Spread the love

Gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe te varret e dy atdhetarëve, politikanëve e shkrimtarëve shqiptarë, që shënuan shekullin XX, Fan Noli dhe Faik Konica, në Boston të Massachusetssit.

Më pas, kryeministri ka vizituar Katedralen Shën Gjergji, në të cilën ka shërbyer Fan Noli si kryepeshkop dhe bibliotekën ku ruhen librat, dorëshkrimet dhe gjësendet e tjera të tij.

Në katedrale, kryeministri Kurti është takuar me komunitetin shqiptaro-amerikan dhe përfaqësues të shoqatës shqiptare “Vatra”, një ndër themeluesit e së cilës ishte Fan Noli, në nderim të figurës së të cilit ai ka mbajtur një fjalë rasti.

Kryeministri ka thënë se në Katedralen e Shën Gjergjit, Fan Noli mbajti për herë të parë një meshë në gjuhën shqipe në Boston, mbasi ishte dorëzuar prift në mars të vitit 1908, katër vjet para shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, më 1912.

“Ky fakt na i thotë të gjitha. Ende pa e pasur shtetin, shqiptarët ju patën juve, këtu”, ka thënë kryeministri Kurti.

Ai e çmoi kontributin e madh të kishës së Shën Gjergjit edhe në krijimin e shtetit të Kosovës.

” Organizimi për futjen e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve nuk ka qenë më i lehtë se çfarë është sot vështirësia për ta anëtarësuar Kosovën në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”, ka shtuar ai.

“Andaj, nuk është e papritur që sot pothuajse secili e secila e ka në mendje se si ia dolën ata para nesh në mënyrë që të organizohemi sërish edhe ne”, ka theksuar Kurti, teksa ka folur për të arriturat në një vit qeverisje.

You may also like