Ku është “zhdukur” ministri kinez i mbrojtjes? – Shqip

by admin
Spread the love

Ministri kinez i Mbrojtjes Li Shangfu nuk është parë në publik për më shumë se tre javë.

Gazeta britanike Financial Times raportoi të premten se SHBA beson se 65-vjeçarit Li i është hequr detyra dhe është nën hetim nga autoritetet kineze.

Ndërkohë, Reuters raportoi se Li u tërhoq nga një takim me zyrtarët vietnamezë të mbrojtjes një javë më parë.

Spekulimet për vendndodhjen e Li-së pasuan zhdukjen e papritur nga publiku në korrik të ministrit të Jashtëm kinez, Qin Gang.

Më vonë u bë e ditur se ai ishte larguar nga ai post.

Kur u pa Lee për herë të fundit?

Më 15 gusht, Li mori pjesë në një konferencë sigurie pranë Moskës.

Dy ditë më vonë, qeveria bjelloruse publikoi foto që tregonin Li duke u takuar me Lukashenkon në Minsk.

Më 29 gusht, Li mbajti fjalimin e hapjes në Forumin Afrikan për Paqen dhe Sigurinë në Pekin.

Çfarë i nxit spekulimet për fatin e Li?

Udhëheqja e Forcave Raketore të Kinës, njësia ushtarake që mbikëqyr arsenalin e saj bërthamor, u zëvendësua në korrik. Ish-komandanti i saj Li Yuchao nuk ishte parë në publik për disa javë përpara ndryshimit dhe Xinhua, agjencia zyrtare e lajmeve e Kinës, nuk dha asnjë shpjegim për largimin e tij.

Ministri i Jashtëm Qin gjithashtu u zhduk nga publiku në korrik, përpara se të shpallej se ai ishte shkarkuar. Nuk u dha asnjë shpjegim për largimin e tij pas vetëm shtatë muajsh në detyrë.

Spekulimet për fatin e Li u intensifikuan pasi takimi vjetor i Kinës për bashkëpunimin e mbrojtjes me Vietnamin, i planifikuar për 7-8 shtator, u shty. Reuters, duke cituar dy zyrtarë vietnamezë, të cilët nuk pranuan të përmenden emrat, raportoi se Pekini i tha Hanoi-t ditë para ngjarjes se ministri kishte probleme shëndetësore.

Rahm Emanuel, ambasadori amerikan në Japoni, vuri në dyshim atë që i ndodhi Li në një postim në X (ish-Twitter) më 8 shtator, duke thënë se kabineti i Presidentit Xi Jinping “tani duket si një roman i Agatha Christie”.

Të premten në mëngjes, Emanuel doli përsëri në mediat sociale dhe vuri në dukje se Li “nuk është parë apo dëgjuar prej tre javësh” dhe mund të jetë vendosur në arrest shtëpiak.

Kur u pyet për njoftimin e Emanuel-it, një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme të Kinës u tha gazetarëve se “nuk ishte në dijeni të situatës”. /tesheshi.com/

 

You may also like