Kryeministri Kurti bashkëbisedoi me përfaqësuesit e komunitetit goran

by admin
Spread the love

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka bashkëbiseduar me përfaqësuesit e komunitetit goran në Kosovë, nga akademia, organizatat joqeveritare, mediat dhe institucionet e Kosovës. 

Duke shprehur mirënjohje për kontributin e komunitetit goran në Kosovë, Kryeministri Kurti theksoi angazhimin e Qeverisë për rritjen e mirëqenies së këtij komuniteti. Ai veçoi mbështetjen e dhënë përmes Zyrës për Çështje të Komuniteteve në Zyrën e Kryeministrit. Kjo ka përfshirë përfaqësimin e komunitetit në skemën e punës praktike në institucione gjatë gjashtë muajve të fundit, si dhe grantet që mbështesin OJQ-të në punën e tyre për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e komunitetit.

Duke vlerësuar Programin e Ballkanistikës në Universitetin e Prishtinës, të udhëhequr nga znj.Seniha Gjylderen Krasniqi nga komuniteti goran, u theksua ndarja e 5 bursave për studentët nga komunitetet joshumicë për t’u regjistruar në këtë program, që është e vetmja mundësi e tillë në rajon për studentët që të mësojnë gjuhët zyrtare të Kosovës, së bashku me studimin e linguistikës dhe veçorive gjuhësore dhe kulturore të Ballkanit.

Ndërsa duke biseduar lidhur me zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, Kryeministri Kurti theksoi mbështetjen e dhënë për Zyrën e Komisionerit të Gjuhëve në punën e tij të rëndësishme, si dhe punën e filluar për ngritjen e Njësisë së Përkthimit dhe Harmonizimit në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

U bisedua për forcimin e rolit të Zyrtarëve Komunalë për Komunitete dhe Kthim. Kryeministri Kurti veçoi takimin me zyrtarët dhe përgjigjen në kërkesat e artikuluara në atë takim për trajnime dhe rrjetëzim të mëtejshëm. U fol për konferencën e organizuar në qershor për të ndarë praktikat e mira dhe një tjetër konferencë që do të zhvillohet këtë javë.

Në takim u bisedua për mundësitë dhe hapat e ardhshëm për rritje të angazhimit të përbashkët drejt krijimit të vendeve të reja të punës, zhvillimit të turizmit dhe rritjes së mirëqenies së komunitetit goran në Kosovë.

You may also like