Kosova ta shfrytëzojë sinkronizimin e ShBA-së dhe BE-së për anëtarësim në KE

by admin
Spread the love

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se zhvillimet në Ukrainë e kanë ndryshuar në mënyrë drastike qasjen e aleatëve euro-atlantikë karshi vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Kjo është edhe arsyeja pse, sipas saj, Kosova duhet ta shfrytëzojë momentumin kur BE-ja dhe ShBA-ja kanë qëndrim unik, duke shtuar se qeveria duhet të bëjë më shumë në këtë drejtim.

“Ka sigurisht dekada prej kur BE-ja dhe ShBA-ja nuk kanë qenë kaq shumë të sinkronizuara dhe në unison. Ky unitet i miqve të Kosovës, botës euroatlantike, duhet të shfrytëzohet nga ana e institucioneve të Kosovës për të fuqizuar edhe më tej subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës”.

“Unë do të doja të shoh edhe më shumë. Ne si opozitë mbase edhe nuk i dimë të gjitha detajet dhe unë nga përvoja ime e di se diplomacia kërkon një shkallë të diskrecionit dhe jo çdo punë bëhet publike, megjithatë do të doja të shihja më shumë punë, angazhim dhe seriozitet”.

Numri dy i PDK-së ka deklaruar, në “Info Magazine” të Klan Kosovës, se mundësia më reale e Kosovës është anëtarësimi në Këshillin e Evropës, pas largimit të Rusisë.

“Aty tash e disa vite kemi shumicën e nevojshme, për dallim nga NATO dhe BE në Këshillin e Evropës nuk kërkohet konsensus dhe nuk ka të drejtë vetoje askush. Kërkohet një shumicë të cilën Kosova tash e shumë vite e ka, mirëpo kanë qenë vet aleatët tanë të cilët na kanë këshilluar që të mos shkojmë më tutje me aplikim. Tani kur Rusia është larguar nga ky mekanizëm i rëndësishëm ndërkombëtar – i cili në fund fare nuk është vetëm trupë prestigjioze, por i ofron edhe qytetarit të Kosovës mundësi dhe dobitë do të ishin të shumëfishta – unë shpresoj që qeveria të veprojë shpejt në koordinim me aleatët dhe të jetësojmë këtë projekt jashtëzakonisht kaq të rëndësishëm”.

 

You may also like