Kosova, më afër padisë ndaj Serbisë për krime lufte – Shqip

by admin
Spread the love

Kryetari i Komisionit të Kosovës për të Pagjetur, Andin Hoti, ka thënë se anëtarësimi në Këshillin e Evropës do t’i hapë rrugën Kosovës që ta padisë Serbinë për krimet e kryera.

Hoti tha për mediat kosovare se rekomandimi i Komisionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Çështje Politike dhe Demokraci për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës jep shpresë se Kosova, pas anëtarësimit të plotë, do ta padisë Serbinë për krimet e kryera në Kosovë.

Ai shtoi se me anëtarësimin e plotë të Kosovës në Këshillin e Evropës, Komisioni për Persona të Zhdukur merr të drejtën e përdorimit të institucioneve ligjore.

“Deri më tani janë kryer më shumë se 2800 gërmime dhe po kërkohen 1598 persona të tjerë të zhdukur. Gërmimet bëhen kryesisht në bazë të informacioneve që i marrim nga qytetarët, e ndonjëherë ndoshta edhe të tërthortë që i marrim nga Serbia”, tha Hoti.

Krimet e kryera nga forcat serbe kundër popullatës shqiptare në Kosovë çuan në ndërhyrjen e NATO-s.

NATO filloi bombardimin e ish-Jugosllavisë më 24 mars 1999 për shkak të persekutimit të popullatës shqiptare nga forcat serbe të sigurimit.

Aksioni i forcave të NATO-s filloi pas negociatave të pasuksesshme për zgjidhjen e krizës në Kosovë, të zhvilluara në Rambuje dhe Paris në shkurt dhe mars 1999.

Sipas Fondit joqeveritar për të Drejtën Humanitare, 756 persona kanë vdekur si pasojë e bombardimeve të NATO-s – 485 në Kosovë, 261 në Serbi dhe dhjetë në Mal të Zi.

Bombardimet përfunduan pas 11 javësh me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës, me të cilën ushtria dhe policia serbe u tërhoqën nga Kosova.

Gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998/1999 u vranë më shumë se 10.000 civilë, nga të cilët të paktën 8.000 ishin të kombësisë shqiptare. Krimet u vërtetuan me vendimet e Gjykatës së Hagës kundër liderëve politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë.

Më shumë se 1600 persona janë ende të zhdukur, shumica prej tyre shqiptarë, sipas Kombeve të Bashkuara. /tesheshi.com/

You may also like