Kosova e interesuar për dronët turq Bayraktar. Vuçiç: Nuk është lajm i mirë për ne

by admin
Spread the love
Presidentja, Vjosa Osmani viziton fabrikën e prodhimit të dronëve Bayraktar

Qeveria e Kosovës e ka në agjendën e saj dhe po punon për çështjen e blerjeve të dronëve ushtarakë të prodhimit turk, Bayraktar. Kështu ka thënë ministri i Zhvillimit Rajonal në qeverinë e Kosovës, Fikrim Damka, për agjencinë shtetërore të lajmeve turk Anadolu, shkruajnë mediet në Prishtinë.

Fikrim Damka, është pjesë e qeverisë, vjen nga komuniteti turk i Kosovës dhe sipas tij, blerja e armëve “do të përdoret vetëm për mbrojtjen e vendit”. “Sigurisht që çështja e dronëve me armë është edhe në agjendën tonë. Lidhur me këtë shteti ynë zhvillon punime çdo herë. Janë realizuar vizita, shembull, presidentja jonë Vjosa Osmani dhe ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj e kanë vizituar fabrikën ku prodhohen dronët Bayraktar. Natyrisht që ky është një proces afatgjatë dhe çdo shtet dëshiron të ketë dronët në shtëpinë e vet, në magazinën e arsenalit të tij ushtarak“, citohet ministri Damka, ndonëse dikasteri që ai drejton në qeverinë e Kosovës nuk ka të bëjë më çështjet ushtarake apo blerjen e armëve për Forcën e Sigurisë së Kosovës FSK. Megjithatë Damka thekson, se nuk ka informacione shtesë lidhur me atë se sa buxhet mund të shfrytëzohet për dronë të tillë.

Turqia e ka ndihmuar Forcën e Sigurisë së Kosovës deri tani kryesisht përmes donacioneve. Vetëm para pak kohësh Kosova dhe Turqia kanë nënshkruar kontratë për blerjen e automjeteve ushtarake të blinduara me pajisje armatimi.

Vuçiç: Nuk është as lajm i lehtë dhe as i mirë për ne

Pas publikimit të lajmit, se Kosova mund të blejë dronët ushtarak turk Bayraktar, reagoi menjëherë presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, i cili nga një vizitë që zhvillonte në Azerbajxhan, tha se ky nuk është lajm i mirë dhe se kjo mund të ndikojë në marrëdhëniet e Serbisë me Turqinë. “Nuk është as lajm i lehtë dhe as i mirë për ne dhe kjo do të ndikojë në marrëdhëniet tona, edhe pse ne e respektojmë shumë presidentin Erdogan”, tha Vuçiç, për mediet serbe. Sipas tij, megjithatë, shpreson që së shpejti “do të mund të mburren me një numër të konsiderueshëm të dronëve kamikazë dhe avionëve të tjerë”.

Dronët Bayraktar, prodhim turk për herë të parë kanë fluturuar në vitin 2014. Dronët e tillë të llojit TB2, përdoren nga ushtritë e disa shteteve dhe së fundi janë dërguar edhe në Ukrainë për të ndihmuar forcat ukrainase që të luftojnë kundër pushtimit rus.

You may also like