Kore e Jugut – Opozita liberale fiton zgjedhjet parlamentare

by admin
Spread the love

SEUL, 11 prill /ATSH-DPA/- Opozita liberale e Koresë së Jugut ka arritur një fitore dërrmuese kundrejt partisë në pushtet të presidentit konservator, Yoon Suk Yeol në zgjedhjet parlamentare të vendit.

Suksesi i opozitës nënkupton një dobësim të konsiderueshëm të kreut të shtetit në politikën e brendshme.

Pasi u numëruan pothuajse të gjitha votat, Partia Demokratike (PD) e liderit të opozitës Lee Jae Myung ishte në gjendje të forconte pozicionin e saj si partia më e madhe e vetme në Asamblenë Kombëtare me 300 vende.

“PD, së bashku me partinë e saj më të vogël simotër, Aleancën Demokratike të Koresë, do të mbajë 175 vende në parlament, duke i siguruar asaj një shumicë absolute”, sipas transmetuesve të Koresë së Jugut, duke cituar komisionin shtetëror të zgjedhjeve.

Partia e Fuqisë Popullore (PPP), në pushtet dhe partia e saj përkrahëse siguruan 108 vende. Sipas raporteve të agjencisë kombëtare të lajmeve Yonhap, kreu i PPP-së, Han Dong Hoon njoftoi dorëheqjen e tij për shkak të rezultatit.

“Ai donte t’u kërkonte falje qytetarëve në emër të partisë së tij”, tha Han në Seul.

Konservatorët e Yoon pësuan një humbje të rëndë për të tretën herë radhazi në zgjedhjet parlamentare në ekonominë e katërt më të madhe të Azisë. Yoon premtoi të reformojë çështjet shtetërore.

Më shumë se 44,25 milionë qytetarë kishin të drejtë të votonin në zgjedhjet e së mërkurës. Sipas shifrave paraprake të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, pjesëmarrja ishte 67%, shifra më e lartë për zgjedhjet parlamentare në 32 vjet./a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like